Sot hapet aplikimi për viza pune në Ambasadën e Gjermanisë, kjo është procedura
Nga sot qytetarët e interesuar për vizë pune në Ambasadën e Gjermanisë do ta kenë mundësinë që për më shumë se dy javë të aplikojnë për vizë në këtë ambasadë.
Por, ndryshe nga herët e tjera, procedura për pajisje me vizë pune gjermane është ndryshuar nga kjo e hënë.
Qytetarët e Kosovës që duan të marrin vizë gjermane, nga 1 dhjetori e deri më 17 dhjetor do ta kenë sistemin e hapur për aplikim dhe se përzgjedhja e tyre do të bëhet me short.
Pavarësisht se sa aplikojnë, brenda një muaji me vizë pune mund të pajisen rreth 450 persona. Në njoftimin e Ambasadës lëshuar të hënën thuhet se procedura e shortit do të mbikëqyret në Ministrinë e Jashtme Federale në Berlin.
Personat e interesuar do të kenë mundësinë që nga sot në orën 14:00 deri më 17 dhjetor në orën 12:00, nëpërmjet sistemit online të termineve të ambasadës të shprehin interesimin e tyre për procedurën e shortit.