Të shtëna me armë zjarri në një dasmë në Prizren, Policia arreston një person
Kosovarët si ‘merakli të armëve’, ato i përdorin shpesh edhe në ahengjet familjare, përmes së cilës shprehin ‘gëzimin’ e tyre për një ngjarje të caktuar. Kështu zgjodhi të festojë edhe një person sot në lagjen Bajram Curri në Prizren.
Rastin e ka konfirmuar togeri i Policisë së Kosovës në Prizren, Shaqir Bytyqi, i cili tha se është sekuestruar një armë zjarri dhe është arrestuar një person.
“Sot kemi marrë informacione për të shtëna me armë zjarri në një gazmend familjar, me ç’rast një patrullë e Policisë ka dalë në vendin e ngjarjes ku ka sekuestruar armën që dyshohet se u përdor në rast dhe ka arrestuar një person të dyshuar. I dyshuari është duke u dërguar për intervistim në stacion policor”, tha Bytyqi për Sinjalin.
Kujtojmë se mbajtja e armëve pa lejen e organeve kompetente shtetërore, dënohet me burgim ose me gjobë.