Tërheqja nga Trusti, ligji shqyrtohet javën e ardhshme nga Kuvendi
Abelard Tahiri, kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës është shprehur se në javën e ardhshme do të shqyrtohet Ligji për Trustin.
Ai ka thënë se ka pasur vonesa nga Komisioni për Ekonomi, Financa dhe Transfere në trajtimin e kësaj çështje.
“Ju e dini që Grupi Parlamentar i PDK-së kemi marrë një iniciativë për risjelljen e ligjit të trustit në Kuvendin e Kosovës për t’iu mundësuar qytetarëve tërheqjen e një pjese të këtyre kursimeve për shkak të krizës ekonomike në të cilën po jetojmë. Ka pasur vonesa në trajtim nga Komisioni i për Ekonomi, Financa dhe Transfere dhe ende nuk është trajtuar.”, tha Tahiri.
Më tutje, ai është shprehur se i kanë dhënë kohë komisionit edhe javën e ardhshme që ta bëjë një gjë të tillë.
“Ashtu siç jemi informuar sot, ky Komision do të trajtojë ditën e nesërme këtë, dhe ne si grup kemi vendosur t’i japim kohë gjatë kësaj jave dhe gjatë javës tjetër, që të shqyrtohet tërheqja e një përqindje të kursimeve të Trustit për qytetarët e Kosovës.”, u shpreh Tahiri.
Ndërkohë, tërheqja nga Trusti është kërkesë e shumë qytetarëve të Kosovës, por kjo gjë kundërshtohet nga qeveria e Kosovës.