Themelorja dhe Apeli ia refuzojnë për herë të dytë “Burdushit” lutjen për shtyrje të dënimit me burgim
Hysri Peqanit i njohur si “Burdushi” edhe për herë të dytë i është refuzuar kërkesë për shtyrje e ekzekutimit të vuajtjes së dënimit me burgim. Fillimisht refuzimi i ka ardhur nga Gjykata Themelore dhe më pastaj edhe nga Gjykata e Apelit.
Në vendimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se “Burdushi” përmes mbrojtësit, avokatit Durim Osman me 25 tetor 2023 ka paraqitur sërish kërkesë për shtyrje të ekzekutimit të dënimit me burgim me arsyetimin se gjendja shëndetësore e tij është e përkeqësuar.
Mirëpo kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë përmes aktvendimit të 27 tetorit 2023 ka refuzuar kërkesën e “Burdushit” duke e obliguar të njëjtin që të paraqitet të nesërmen në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë për të filluar me mbajtjen e dënimit me burgim.
Ndaj këtij vendimi të Themelores përmes avokatit Osman, “Burdushi” më 31 tetor 2023 ka parashtruar ankesë për në Gjykatën e Apelit me kërkesën që të prishet vendimi i Themelores dhe çështja të kthehet në rivendosje.
Mirëpo këtë ankesë, nënkryetarja e Apelit Kadrije Goga-Lubishtani e ka refuzuar si të pabazuar dhe e ka vërtetuar vendimin e Themelores me arsyetimin se nga raportet mjekësore nuk është vërtetuar se “Burdushi vuan nga ndonjë sëmundje e rëndë dhe se në rast komplikimi mund të marrë kujdesin e duhur edhe gjatë qëndrimit në burg.
Ndaj “Burdushit” ishte refuzuar edhe kërkesa e parë për shtyrje të ekzekutimit të dënimit me burgim edhe nga Themelorja por edhe nga ajo e Apelit duke kërkuar që i njëjti të paraqitet për vuajte të dënimit me burgim prej 4 vite e 6 muaj.
Mirëpo “Burdushi” përkundër këtyre vendimeve përmes mbrojtësve kishte paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë për në Gjykatës Supreme me kërkesë për shtyrje të vuajtjes së dënimit me burgim.
Ndërkohë, Supremja kishte konstatuar raportimet e “Betimi për Drejtësi” se nuk ka mjete të jashtëzakonshëm juridik ndaj vendimi të Apelit për shtyrje të vuajte të dënimit me burgim. “Burdushi” më 10 janar 2023 ishte dënuar nga Themelorja me 4 vite e 6 muaj burgim dhe me 42 mijë euro gjobë për shkak të ushtrimit të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, mashtrim, shpëlarje parash dhe armëmbajtje pa leje.
Ky vendim ishte vërtetuar edhe nga Apeli por edhe nga Supremja.