Totaj e akuzon Haskukën për nepotizëm dhe tenderë të dyshimtë
Kryetari i degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Prizren, Shaqir Totaj, ka akuzuar qeverinë e Prizrenit për tenderë të dyshimtë si dhe për punësime nepotike.
“Kam paraqitur tri raste të punësimeve për të cilat ekzistojnë indikacione se ato janë punësime nepotike”, ka thënë Totaj duke përmendur emrat e Blerina Susurit, Elvira Dautit dhe Agneca Laçit.
“Vetë fakti që një person ka lidhje familjare me dy të punësuarit është vetvetiu indikator se mund të kemi pasur lidhje nepotike”.
Mirëpo, Totaj ka thënë që këto tri punësime nuk janë të vetmet parregullsi nga qeveria komunale e Prizrenit.
“Vetë drejtori i gjimnazit është ushtrues detyre kur ne e dimë së në bazë të ligjit për shërbyes civilë është gjashtë muaj. Faktikisht kemi tri herë nga 6 muaj afat kur nuk është respektuar ligji për shërbyes civilë”.
Ai i ka përmendur edhe dy denoncime, një rast të një personi me titull master që është diskualifikuar në secilin aplikim, si dhe një rast tjetër të një personi që merr pagë pa shkuar fare në punë.
Totaj thotë që këto veprime nuk korrespondojnë me premtimet zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Haskukës ku premtohej depolitizim i arsimit dhe ngritje e cilësisë.
“Mund të ndodhë që edhe këta ta meritojnë mirëpo vetë fakti që ekzistojnë lidhje të afërta familjare, për neve është indikator se dicka mund më mos ketë qenë në rregull”, thotë Totaj.
Ai shtoi se PDK-ja në Prizren do të marrë më shumë informata dhe pastaj do t’i shqyrtojnë hapat e mëtutjeshëm.