Totaj: Ministrit Çekut pesë herë i kam shkruar, lëre që nuk pranon takim, po as nuk ma kthen emailin
Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, ka shprehur kritika ndaj Qeverisë, duke thënë se nuk ka bashkëpunim adekuat me nivelin lokal.
Ai ka theksuar se gjatë dy vjetëve të qeverisjes së tij në Prizren, kanë pasur më shumë prezencë diplomatësh ndërkombëtarë në zyrën e tij sesa ministrave të kryeministrit Albin Kurti.
Kështu, Totaj ka marrë dy shembuj të bashkëpunimit dhe mosbashkëpunimit të nivelit qendror me atë lokal.
Sipas tij, zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durimi, është shembull i mirë i bashkëpunimit, ndërsa shembull i keq është ministri i Kulturës, Hajrullah Ceku.
“Unë e kam përshtypjeje e huta ka ardhë si pasojë e mos njohjes së materies dhe si pasojë e një qasje jo bashkëpunuese dhe jo bashkëpunuese mes Qeverise qendrore dhe asaj lokale. Po du me qene optimist që në të ardhëm nuk duhet të kemi kësi veprime por duhet të komunikojmë dhe bashkëveprojmë. Qeveria lokale dhe ajo qendrore mund ti ndihmojë njëra tjetrës. Unë jam përafërsisht gati 2 vjet kryetar i Prizrenit, kam një komunikim shumë të mirë me diplomatë ndërkombëtar, të shteteve të QUINT-it ShBA-së etj…, të cilët vijnë ka dy herë në zyre në Prizren, nuk mund të them të njëjtën gjë për ministrat. Po du me marre një shembull pozitiv te zëvendësministri i Infrastrukturës me të cilin kemi një bashkëpunim të mirë dhe është gatshëm për bashkëpunime…po u jap një shembull të keq ministri i Kulturës që vjen nga Prizreni, pese herë i kam shkuar i kam kërkuar takim për tema që janë me interes për zhvillim e Priernit, lerë që nuk pranon takim po as nuk ma kthen email-in. Mendoj që është nj shembull jo i mire është një qasje jo e mirë”, ka thënë Totaj.
Gjithashtu, Totaj ka folur edhe për dorëzimin e kërkesës në Gjykatë Kushtetuese për vlerësimin e ligjshmërisë së Ligjit për tatimin në pronë të paluajtshme, i cili parasheh faljen e 100 eurove të tatimit për qytetarët.
Sipas tij, me këtë vendim do të dëmtohen buxhetet e komunave të Kosovës, respektivisht, buxheti i komunave të vogla./Dukagjini