U mbajt takimi i kryetarit Totaj me drejtorët komunal, kërkohet përshpejtimi i dhënies së lejeve ndërtimore
Të martën është mbajtur mbledhja e radhës e kryetarit të komunës, Shaqir Totaj, me drejtorët e kabinetit të tij qeverisës me Prizrenin.
Pas mbledhjes së kryetarit, Shaqir Totaj, me drejtorët e qeverisë komunale, para mediave ka folur zëdhënësja e komunës, Jona Hoxhaj, e cila ka njoftuar për detajet e këtij takimi. Ajo ka folur për raportimet e shumicës së drejtorëve, ndërsa ndër më interesantet ka qenë çështja e ngarkesës së Drejtorisë së Urbanizmit për dhënien e lejeve ndërtimore, pas miratimit të Hartave Zonale, për shkak të mungesës së stafit të mjaftueshëm të këtij dikasteri.
Zëdhënësja Hoxhaj, ka thënë se kryetari Totaj, ka kërkuar zgjidhjen sa më të shpejtë të kësaj çështje, që qytetarët në kohë sa më të shkurtër të pajisen me leje ndërtimore.
Në fund, zëdhënësja Hoxhaj, ka folur edhe rreth kërkesës së gastronomëve që të vazhdojnë të janë të liruar nga pagesa e hapësirave publike në qendër të qytetit.
Në këtë mbledhje është raportuar para kryetarit Totaj për konkurset në DKA, bursat për student, ndërtimin e një shkolle të re në transit dhe te një çerdheje në Has.
Gjithashtu është raportuar edhe për projektet infrastrukturore, eleminimin e deponive ilegale si dhe problemet me kontraktuesit e projekteve për shkak të ngritjes së çmimeve etj.