U përleshën për disa cunga, shtyhet gjykimi ndaj tre të akuzuarve nga Prizreni
Për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore të të akuzuarit B.Xh, është shtyrë seanca gjyqësore e paraparë për të enjten në Gjykatën Themelore në Prizren, në rastin ku tre persona po akuzohen se pas një mosmarrëveshje lidhur me një rrugë, përkatësisht largimin e disa cungave nga rruga ishin përleshur mes tyre.
Në këtë rast, mbrojtësja e të akuzuarit B.Xh, avokate Nadire Hoxha deklaroi se pas konsultimit me klientin tim, i njëjti e kishte informuar se nuk e ka gjendjen e mirë shëndetësore dhe se gjendet te mjeku dhe se i njëjti i ka ofruar udhëzimin për konsultim nga Spitali Regjional i Prizrenit, andaj edhe i propozoi gjykatës që gjykimi i sotëm të shtyhet.
Prokurori i Shtetit Metush Biraj dhe avokatët mbrojtës të të akuzuarve R.XH dhe A.S deklaruan se ia lënë në vlerësim gjykatës propozimin për shtyrjen e kësaj seance.
Kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi konstatoi se duke parë gjendjen shëndetësore të të akuzuarit B.Xh, seanca e sotme nuk mund të mbahet dhe e njëjta shtyhet më 04 dhe 10 shkurt 2022.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, në tetor të vitit 2018, kishte shpallur aktgjykimin për këtë rast, e ku i akuzuari R.Xh ishte shpallur fajtor për veprën penale “lëndim i rëndë trupor” dhe e ishte dënuar me 15 muaj burgim.
Kurse, B.Xh ishte shpallur fajtor për veprën penale “pjesëmarrje në rrahje” dhe të ishte dënuar me tre muaj burgim.
Ndërsa A.S ishte shpallur fajtor për veprat penale “lëndim i rëndë trupor” dhe “lëndim i lehtë trupor”.
Për lëndim të rëndë trupor, S. ishte dënuar me gjashtë muaj burgim kurse për lëndim të lehtë trupor ishte dënuar me tre muaj burgim. Dënimi unik i shqiptuar ndaj tij kishte qenë tetë muaj burgim efektiv.
Por pasi që palët kishin ushtruar ankesa kundër aktgjykimit të shkallës së parë, Gjykata e Apelit në shkurt të vitit 2019, e kishte anuluar aktgjykimin e themelores dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.
Fillimisht këtë lëndë e kishte gjykuar gjykatësi Xheladin Osmani, mirëpo pas ankesës së palës së dëmtuar, tani të akuzuarit A.S, gjykatësi Osmani me vendim të Gjykatës Supreme të Kosovës ishte përjashtuar dhe lëndën e ka pranuar gjykatësja Ajser Skenderi.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të përpiluar më 16 gusht 2018, R.Xh akuzohet se me dashje ndërmerr veprime për vrasje të personit tjetër, por vepra nuk është realizuar.
Sipas prokurorisë, vepra ishte kryer në atë mënyrë që në rrugën e shtëpisë së tij, në fshatin Korishë, për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme lidhur me rrugën dhe largimit të cungave prej rrugës nga ana e të dëmtuarit A.S, i akuzuari R.Xh së bashku me babain e tij, shkon në drejtim të të dëmtuarit A.S, ku fillimisht përleshen me grushta, e pastaj në një moment me thikë dy herë e godet të dëmtuarin A.S në regjionin e kafazit të majtë të kraharorit afër zemrës dhe një herë në regjionin e abdomenit.
Për këto veprime, R.Xh akuzohet nga prokuroria ka kryer veprën penale të vrasjes në tentativë.
Ndërsa, B.Xh akuzohet se merr pjesë në rrahje, e cila rezulton me lëndime të rënda trupore për personin tjetër, ashtu që së bashku me të birin e tij, të akuzuarin R.Xh me grushte e pastaj me një shkop e godet nëpër pjesë të ndryshme të trupit të dëmtuarin A.S.
Me këto veprime, nga prokuroria B.Xh po akuzohet se ka kryer veprën penale, pjesëmarrja në rrahje.
Kurse, A.S akuzohet se i shkakton lëndim të rëndë trupor personit tjetër, deri në masën e tillë sa që mund të rezultojë me dëmtimin e përkohshëm të shëndetit, në atë mënyrë që gjatë përleshjes, me grushte e godet të dëmtuarin B.Xh të cilit i shkakton lëndime të buta të hundës, nën gjurit të majtë dhe lëndime të tjera.
Po ashtu, ai akuzohet se gjatë përleshjes, R.Xh e godet me grushte nëpër trup dhe fytyrë, duke i shkaktuar lëndime të lehta në kokë dhe në pjesën e majtë të fytyrës.
Me këto veprime, ai akuzohet nga prokuroria se ka kryer veprat penale, lëndim i rëndë trupor si dhe lëndim i lehtë trupor./BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.