UPz-ja shënon përvjetorin e 78 të lindjes së Ukshin Hotit, Ismail Kadare shpallet ” dr. Honoris Causa”
Me aktivitete të ndryshme në Universitetin Publik të Prizrenit, është shënuar 78 vjetori i lindjes së intelektualit dhe patriotit të shquar, Ukshin Hoti, emrin e të cilit e mban institucioni më i lartë arsimor në Prizren.
Pjesë e aktiviteteve për shënimin e përvjetorit të 78-të të lindjes së intelektualit dhe patriotit, Ukshin Hoti, ishin përfaqësues të institucioneve të ndryshme, studentë dhe drejtues të Universitetit të Prizrenit.
Kryetari i Këshillit Drejtues , Arif Murrja dhe rektori i Universitetit, Ismet Temaj, e vlerësuan lartë figurën e Ukshin Hotit, duke theksuar se ne duhet të punojmë që institucioni jonë të nderojë emrin e profesor, Ukshinit.
Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, tha se Ukshin Hoti me tërë potencialin e tij intelektual gjatë gjithë jetës i është përkushtuar çështjes kombëtare të shqiptarëve. Për jetën dhe veprën e Ukshin Hotit, ka folur Sabri Kiçmari, i cili në mes tjerash tha se, ai gjatë jetës së tij sakrifikoi për të mirën, të vërtetën dhe të drejtën e kombit të tij.
Në emër të familjes, shënimin e 78 vjetorit të lindjes në institucionin që e mban emrin e babait të tij e vlerësoi lartë dhe me krenari, Andin Hoti, ndërsa brengë jo vetëm për familjen mbetet misteri i zhdukjes së tij nga burgu i Dubravës, theksoi ai.
Gjatë këtyre aktiviteteve është hapur edhe një ekspozitë me fotografi të Ukshin Hotit dhe gjësende personale të tij, ndërsa në një mbledhje të jashtëzakonshme të Senatit të Universitetit “Ukshin Hoti”, është marrë vendim për dhënien e Titullit Doktor Nderi “Dr. Honoris Causa”, shkrimtarit të mirënjohur shqiptar, Ismail Kadare./Tv Prizreni