UV e konfirmon: Mishi i bardhë në tregun e Kosovës është i sigurt
Një bakterie e gjetur në mishin e bardhë në Shqipëri ditë më parë ka alarmuar edhe Kosovën.
Është fjala për salmonelën e gjetur në llojin e mishit të bardhë “Copacol” në shtetin fqinj.
E të menjëhershëm ishin edhe reagimet në Kosovë, ku filluan kontrolle të rrepta nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë për mishin që importohet nga Brazili.
Por Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit sot ka bërë të ditur se mishi i bardhë i pulës i cili tregtohet në Kosovë, është i sigurt për konsum dhe i plotëson kriteret për tregtim.
“Të gjitha rezultatet e analizave konfirmojnë, mishi i bardhë i pulës qe tregtohet në Kosovë është i sigurt. Pas ngritje se dyshimeve se mishi i pulës me origjinë nga Brazili kishte rezultuar pozitiv në Shqipëri. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë kishte ndërmarrë e veprimeve për të hequr dyshimet për konsumatorin kosovarë. Me një gjurmim të potë, duke vendosur masa shtesë kontrolli duke përfshirë edhe marrjen e mostrave. Kufizime të shitjes deri në konfirmim përmes rezultateve të analizave laboratorike. Sot janë nxjerrë rezultatet, të cilat kanë konfirmuar, se mishi i cili ka qenë duke u tregtuar dhe ai që ishte duke u importuar, është i sigurt për konsum dhe i plotëson kriteret ligjore për tregtim”, thuhet në njoftimin e AUV-së.
Në njoftimin e AUV-së thuhet se mostrat e mishit të pulës (fileto-breast) me origjinë nga Brazili janë testuar në aspektin mikrobiologjik, në parametrat e prezencës se Salmonella Typhimurium dhe Salmonella Enteritidis.
“Testet janë kryer me ANSR metodë e avancuar për amplifikimin e ADN-së se Salmonelles spp. Të njëjtat janë konfirmuar edhe me metodën klasike e bazuar në ISO 6579-1. Limitet të përcaktuara sipas rregullores për kriteret mikrobiologjike në produktet ushqimore nr. 27/2012 , si edhe plotësim ndryshimit 09/2018. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, gjithmonë do të veprojë konform legjislacionit në fuqi, për të hequr dyshimet e konsumatorit mbi çdo pasiguri në produkte. Po punojmë çdo ditë qe për sigurinë e ushqimit në vend, të besohet si fakt dhe si perceptim”, thuhet në njoftim.