Valbon Krasniqi: Tubimet e partive politike paraqesin rrezik në përhapjen e COVID-19
Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, Valbon Krasniqi ka thënë se situata me pandeminë COVID-19 është stabile që nga fillimi i janarit dhe se në dy muajt e parë të vitit 2021 ka rënie të numrit të pacientëve me COVID-19, që janë të shtrirë nëpër spitalet e përgjithshme dhe klinikat e QKUK-së.
Megjithatë, Krasniqi thotë se tubimet që kanë mbajtur subjektet politike para dhe gjatë fushatës zgjedhore paraqesin rrezik potencial që të ndikohet në përhapjen e virusit.
Sa i përket variantit të ri të COVID-19, Krasniqi tha se tashmë në Kosovë janë vetëm tri raste të konfirmuara.
“Zyrtarisht deri tani kemi tri raste të variantit të ri në Kosovë, nga 30 mostra që janë dërguar më herët në Gjermani, ndërkohë që rastet e tjera të konfirmuara me variantit të ri të COVID-19 nuk kemi. Në përgjithësi viruset si COVID-19, njihen për ndryshimet që mund të pësojnë gjatë kalimit nga njerëzit te njerëzit dhe në përgjithësi në shumicën e rasteve këta virus mund edhe të dobësohen dhe të humbin virulencën (aftësia e virusit për të shkaktuar sëmundje). Është herët të thuhet nëse ka ndodhë një gjë e tillë, por këtyre ditëve ne nuk kemi parë ashpërsim të sëmundjes në raport me muajt paraprak”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi foli edhe për masat antiCOVID, duke shtuar se duhet të vazhdohet më vëmendje pasi që virusi është aktiv.
“Kosova ka kohë që është në mesin e vendeve me masat më të lira, në fakt pothuajse jemi duke jetuar sikurse të kemi një situatë normale, sidoqoftë ne duhet ta bëjmë thirrje që të kemi vëmendje kolektive dhe individuale për respektim të masave antiCOVID, ne ende e kemi prezent virusin në Kosovë, ende është virusi edhe në shtetet përreth dhe në Evropë është duke bërë dëme të mëdha. Prandaj, duhet të jemi të kujdesshëm dhe në asnjë moment të mos e shpërqendrojmë vëmendjen nga masat antiCOVID. Tani për tani përgjegjësia individuale duhet të jetë e lartë dhe po ashtu përgjegjësia kolektive”, potencoi ai për Telegrafin.
Për tubimet e subjekteve politike që kanë mbajtur para dhe gjatë fushatës zgjedhore, Krasniqi tha se ajo çfarë ka ndodhur në mjekësi njihet si ‘super shpërndarës të infeksionit’.
“Çdo mos respektim i masave antiCOVID bartë në vetë rrezikun për përhapjen në masë të madhe të virusit, dhe grumbullimi në masë të madhe. Ato çfarë kemi parë gjatë ditëve të kaluara në mjekësi njihen si super shpërndarës të infeksionit. Pra, ka rrezik potencial të ndikohet në përhapje më të madhe të virusit, tash mbetet të shihet ditët në vijim se si do të evoluojë më tutje pandemia”, theksoi ai.