Veshja unike e gruas hasjane
Dhjetra gra nga disa fshatra të Komunës së Prizrenit dhe Gjakovës si; Krajk, Gjonaj, Kushnin, Lubizhdë e Hasit, Dedaj, Lukinaj, Mazrek, Demjan dhe Romajë janë intervistuar me qëllim të mbledhjes dhe kompletimit të veshjeve tradicionale të Rajonit të Hasit.
Pjesët e veshjes me kollan kryesisht janë të punuara me veg, ku ka pasur funksionin ceremonial dhe ka paraqitur motivet floreale, zoomorfe dhe gjeometrike. Xharri, Setra dhe Burrnisa janë pjesët e jashtme të veshjes së Hasit, pjesë këto që janë përdorur nga gratë më të reja në momentin që kanë udhëtuar dhe që kanë shërbyer si formë e mbulesës dhe ruajtjes së veshjes.
Veshja e Hasit, përkatësisht veshja e grave me kollan, është veshja më specifike e të gjitha rajoneve të Kosovës, si nga pamja, funksioni, mënyra se si punohet, historia dhe në përgjithësi në ornamentikën e saj. Veshja e Hasit konsiderohet tanimë tradicionale, e cila në të kaluarën është përdorur si veshje e përditshme nga të gjitha gratë në Rajonin e Hasit. Sipas studiuesve konsiderohen tri funksione kryesore të kostumeve tradicionale: funksioni praktik, funksioni ceremonial dhe ai ritual, të cilat funksione këto veshja me kollan i ka pasur në të kaluarën dhe ornamentika e saj mund të kuptohet gjithashtu nëpërmjet motiveve kryesore që i ka paraqitur dizajni i veshjes; si ato gjeometrike, zoomorfe, kozmike, floreale etj.
Sot ekziston vetëm një formë e kësaj veshjeje, pra forma e veshjes për ditë festive dhe dasma, e cila veshet nga gratë e reja në moshë dhe dizajni i saj paraqet kryesisht motive floreale. Kjo veshje e merr emërtimin e saj nga brezi, i cili quhet ‘kollan’ në të folurit e Rajonit të Hasit. Në të kaluarën vajzat, para se të martoheshin kanë punuar disa forma të veshjes me kollan, si parapërgatitje për jetën e re martesore. Ato i kanë punuar veshjet duke i klasifikuar në bazë të destinacionit, stinëve, punëve, gjendjes emocionale etj, si me radhë; veshjet e përditshme, veshjet për ditë festive, dasma, veshje për punë, veshje për shëtitje e udhëtime.
Ndërsa format e veshjes me kollan për rast vdekjeje, i kanë huazuar nga gratë më të moshuara. Kollani shoqërohet me pjesët e tjera, por meqenëse kollani vendoset në bel dhe i lidh rrobat në pjesën e sipërme dhe të poshtme të veshjes, më përjashtim të të mbathurave, kollani mbetet pjesa kryesore dhe baza e veshjes, ku të gjitha rrobat tjera në tërësi emërtohen sipas kollanit.