Vodhi para në një xhami të Prizrenit, dënohet me tri vite burgim
Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka shpallur aktgjykim dënues, ndaj të akuzuarit N.H., ai është dënuar me tri vite burgim për kryerjen e veprës penale “vjedhje e rëndë”.
Ai është shpallur fajtor për shkak se në janar të vitit 2020, në orët e mesnatës në Prizren, “i pandehuri N.H., me qëllim që vetes ti sjell dobi pasurore e të kundërligjshme, tjetrit i ‘a merr pasurinë e luajtshme, në atë mënyrë që i pandehuri nga ndërtesa fetare – xhami, duke shfrytëzuar momentin e përshtatshëm kur në objekt nuk ishte askush, me një mjet të përshtatshëm për të kryer veprën penale, e dëmton derën e hyrjes, hyn brenda dhe me forcë hap kasafortën dhe nga ata merr para, dhe pastaj largohet nga vendi i ngjarjes pa u vërejtur nga askush, me ç ‘rast te të dëmtuarit shkakton dëm material”, njofton gjykata.
Kësodore ka kryer veprën penale vjedhje e rëndë nga neni 315 par. 2 nën par. 2.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Andaj Gjykata, në kuptim të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, të akuzuarin N.H., e GJYKON: Dënim me burgim në kohëzgjatje prej tri viteve.
Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.