Vrasja për borxh në kafeteri, autori dënohet me 24 vjet e 10 muaj burgim
Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda ka shpallur aktgjykim dënues me 24 vjet e 10 muaj burgim ndaj të akuzuarit S.A.
Gjykata konstaton se S.A., kreu veprat penale ” vrasja e rëndë” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve“.
Por si kishte ndodhur vrasja?
“I akuzuari S.A., ka privuar nga jeta personin tjetër, dhe me atë rast me dashje ka vë në rrezik jetën e një apo më shumë personave tjerë, ashtu që me datë 26 janar 2020, rreth orës 21:45, në një lokal – kafiteri, në fshatin Maqitevë – Komuna e Suharekës, pas mosmarrëveshjes lidhur me një borxh, që i’a kishte tani i ndjeri Sh.K., vëllait të të akuzuarit, fillimisht i akuzuari S.A., i thotë “a e di kë e keni sha ju, pa ta q* n**** nuk e la, në qoftë se je burrë qu dil jashtë”, dhe pasi pronari i lokalit e largon të ndjerin jashtë, dhe deri sa i ndjeri ishte jashtë duke kërkuar falje pronarit të lokalit për gjestin e bërë, i akuzuari me shpejtësi ngritët nga tavolina dhe nga dera tjetër e lokalit del jashtë, shkon në kamionetën e tij, e merr pushkën gjysmë automatike të tipit “Ak-47”, nga një distancë e afërt shkrep në drejtim të të ndjerit Sh.K., i cili qëndronte i ndalur me një bisht të sopatës në dorë, fillimisht i akuzuari e godet të njërin në fytyrë, pasi i ndjeri rrëzohet në tokë, i akuzuari vazhdon deri sa i ndjeri ishte i rrëzuar e godet edhe disa herë, me ç ‘rast i shkakton 8 (tetë) plagë në kokë dhe pjesë të ndryshme të trupit, të cilat aty për aty kanë qenë vdekjeprurëse“, njofton gjykata, transmeton Express.
Sipas gjykatës ai ka kryer veprën penale vrasja e rëndë nga neni 173 par. 1 nën par. 1.5 të Kodit Penal.
Gjykata thotë se i akuzuari S.A., në vend dhe kohë të njëjtë si më lart, nga data e pavërtetuar në kundërshtim me Ligjin e zbatueshëm ka poseduar armën gjysmë – automatike të tipit “Ak-47”.
Gjykata njofton se ai ka kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par. 1 të të Kodit Penal.
“Andaj Gjykata, në kuptim të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, të akuzuarin e GJYKON: DËNIM UNIK me BURGIM në kohëzgjatje prej 24 vitesh e 10 muaj“, njofton gjykata.
Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.