VV reagon pasi KQZ e shpalli Totajn kryetar të Prizrenit: Do të ankohemi për rezultatin
Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se do ta ushtroj të drejtën për ankesë në rezultat.
Sipas VV-së në Prizren, shtabi zgjedhor tashmë është në përpilim të ankesave, pasi sipas tyre, kjo po bëhet duke u bazuar në ngjarje që kanë ndodhur në ditën e votimit në këtë komunë.
“Sipas dëshmive ka pasur presione ndaj votuesve në hyrjet e vendvotimeve, tendencë për ndryshimin e vullnetit qytetar në javën e fushatës përmes shpërndarjes së parave dhe të mirave materiale, por edhe kërcënime ndaj komuniteteve në Prizren dhe në disa regjione të Prizrenit”, thuhet në reagimin e VV-së në Prizren.
Tutje, në këtë reagim thuhet se vonesa e raportimit të rezultateve nga disa vendvotime, ku sipas tyre, pjesëmarrja deri në orët e vona ka qenë e ulët dhe pastaj ka pasur rritje të madhe të numrit të votuesve si dhe dëshmitë për nënshkrimet e votuesve të cilët nuk kanë qenë në Kosovën në ditën e zgjedhjeve, VV thotë se këto ngjarje jepin indikacion që është devijuar vullneti qytetar.
“Kërkojmë nga organet kompetente të hetuesisë që të gjitha këto raste të hetohen dhe që të verifikohen nënshkrimet në librin e votuesve”.
“Përfundimisht raportimet e qytetarëve për ditën e zgjedhjeve dhe për procesin zgjedhor, lënë hapësirë për shumë dyshime që duhet të hetohen nga organet kompetente”, thuhet në reagim.
Kjo parti kërkon që për hir të demokracisë dhe mbrojtjes së vullnetit qytetar, të gjitha këto raste të hetohen.
Kujtojmë se në garën e balotazhit për kryetar të komunës së Prizrenit ishin Mytaher Haskuka nga Vetëvendosje dhe Shaqir Totaj nga PDK, ku fitues doli Totaj.