Xhelozia e fut në sherr, burri në Rahovec përfundon në ndalim pasi ushtroi dhunë ndaj gruas
Dyshimet për tradhti dhe xhelozia bëhen shpesh shkaktarë të dhunës që përjetojnë gratë në Kosovë nga partnerët e tyre apo edhe anëtarët e tjerë të familje. Një rast i tillë ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në një familje në Rahovec, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se rastin e ka denoncuar gruaja, e cila ka kërkuar ndihmë nga Policia, pasi u përballë me dhunën e ushtruar nga bashkëshorti i saj.
Gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për motive xhelozie, ashtu që i dyshuari pas një zënke momentale, derisa ishte nën ndikimin e alkoolit, e ka sulmuar fizikisht, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Përballë kësaj situate, ajo ka vendosur të raportojë rastin në Polici, para se të ndodhë diçka më e keqe.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i njëjti është dërguar në mbajtje dhe ndaj tij është iniciuar rasti nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.