Zbulohet në Prizren shtatorja e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot-Skënderbeu
Me një manifestim të kufizuar për shkak të pandemisë, në qytetin e Prizrenit është zbuluar shtatorja e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu.
Pjesë e kësaj ngjarje ishin përfaqësues të institucioneve të ndryshme dhe qytetarë. Kryetari i komunës, Mytaher Haskuka, tha se në këtë datë të veçantë të historisë sonë kombëtare, po i bëjmë bashkë heroin tonë me figurat e lavdishme kombëtare që i dhanë sinjalet e para të shtetit shqiptar, në vendin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Në emër të shoqatave të dala nga lufta, foli sekretari i degës së OVL të UÇK-së, Isa Berisha, i cili tha se në Ditën e Flamurit krahas shumë dëshmorëve në Prizren, atyre po iu bashkohet edhe heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastriot- Skënderbeu.
Ndërkaq, kryetari i shoqatës atdhetare ” Trojet e Arbrit”, Nue Oroshi dhe drejtori i Administratës në Prizren, Osman Hajdari, thanë gjithashtu se Prizreni po nderohet me këtë shtatore të heroit tonë legjendar i cili respektohet në mbarë botën, dhe treguan për disa çështje që kishin ndikuar në përzgjedhjen e lokacionit për vendosjen e kësaj shtatore.
I lumtur që pas një pune 6 mujore është zbuluar shtatorja e heroit kombëtar, Gjergj Kastriot-Skënderbeu, ishte edhe edhe autori i saj, Sinan Alija.
Ndryshe, inicuese e projektit ka qenë shoqata atdhetare ” Trojet e Arbrit”, e cila në bashkëpunim me Drejtorinë e Administratës kanë bashkëpunuar në vendosjen e kësaj shtatore./Tv Prizreni/