Zgjidhet problemi i dokumenteve, shtetasit e Kosovës në Suedi nuk do të regjistrohen më si shtetas serbë
Shtetasit e Kosovës që jetojnë në Suedi tash e një kohë po regjistroheshin si shtetas serbë. Problem ky që tashmë është zgjidhur, kështu bëhet e ditur nga Ambasada e Kosovës në Stokholm nëpërmjet një komunikate.
Nga ambasada thonë se, tash e tutje, në dokumentet e shtetasve kosovarë do të figurojë vetëm shteti i Kosovës meqë Agjencia Suedeze e Taksave ka ndryshuar politikën e saj dhe nuk do të regjistrojë më shtetasit kosovarë si shtetas serbë në Regjistrin Suedez të Popullsisë.
Njoftimi i Ambasadës:
Kemi nderin dhe kënqësinë të ndajmë me ju lajmin e mirë dhe të shumëpritur lidhur me problematikën e kahmotshme të dokumenteve të lëshuara nga Agjensioni Suedez i Taksave – Skatteverket, e cila përmes kanaleve diplomatike, u zgjidh me një epilog pozitiv.
Me të filluar detyrën e saj në Suedi, Ambasadorja Geci Sherifi është njoftuar për shqetësimin e shumë qytetarëve që në dokumentet personale si certifikata të lindjes, martesore e të tjera, të lëshuara nga Skatteverket, krahas Kosovës, ju është shënuar edhe Serbia.
Kesaj cështjeje ajo i ka dhënë prioritet dhe me një përkushtim serioz, Ambasada ka filluar trajtimin e saj në mënyrë konsistente. Pas një sërë diskutimesh tejet konstruktive me Ministrinë e Jashtme të Suedisë, cështja në fjalë është trajtuar nga Skatteverket dhe është zgjidhur me sukses.
Tash e tutje, në dokumentet tuaja do të figurojë vetëm shteti i Kosovës meqë:
• Agjencia Suedeze e Taksave ka ndryshuar politikën e saj dhe nuk do të regjistrojë më shtetasit kosovarë si shtetas serbë në Regjistrin Suedez të Popullsisë
• Kur një individ lëviz në Suedi nga Kosova, Agjencia e Taksave do të regjistrojë shtetësinë bazuar në pasaportën e individit ose dokumenteve nga Agjencia e Migracionit, për shembull uppehållstillståndkort
• Individët që janë të regjistruar si shtetas kosovarë dhe serbë mund të kërkojnë heqjen e regjistrimit të shtetësisë serbe. Agjencia e Taksave do të vërtetojë kërkesën bazuar në dokumentet e paraqitura nga individi, informacionin në dispozicion kur individi ka ardhur në Suedi dhe rrethana të tjera të ndërlidhura me rastin përkatës.
Ju falënderojmë për adresimin e këtij problemi në Ambasadë, bashkëpunimin si dhe për durimin e treguar!