Zjarret në rajonin e Prizrenit – kapen dy persona të dyshuar
Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të cilët dyshohen për zjarrvënie në rajonin e Prizrenit.
Në njoftimin e policisë bëhet e ditur se njëri rast ka ndodhur mesditën e së martës, dhe në lidhje me këtë është arrestuar një 21-vjeçar.
“Pas veprimeve operativo – taktike që policia i ka bërë rrethanave të ngjarjes e për mes sigurimit te incizimeve te kamerave te sigurisë sot me 13.08.82021, ka identifikuar të dyshuar, M.S, 21 vjeç, ndaj të cilit me rekomandimin e prokurorit të shtetit ka iniciuar rastin “Zjarr vënie”, “Shkaktimi i Rrezikut te Përgjithshëm”. Me urdhër te Prokurorit te Shtetit I dyshuari dërgohen ne mbajtje për 48 orë”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq rasti tjetër i zjarrvënies ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fushat e Mamushës, në drejtim të fshatit Nepërbisht të komunës së Suharekës.
Lidhur me këtë rast është arrestuar një 57-vjeçar.
“Po ashtu, sot 13.08.2021, rreth orës 09:17, policia ka marrë informatën se ne fushat e Mamushes e ne drejtim te fshatit Neperbisht komuna e Suharekës ka një zjarr fushor, të gjitha njësitë relevante kanë dalë në vend ngjarje. Veprimet e para hetimore të policisë kanë rezultuar me identifikimin e një të dyshuari, K H 57 vjeç, i cili ka ndezur një zjarr në shkurre dhe përkundër që zjarri ka dalë nga kontrolli, fatmirësisht është lokalizuar shpejt”, thuhet në njoftimin e policisë.
Në njoftimin e policisë bëhet e ditur se ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti “Shkaktimi i Rrezikut te Përgjithshëm” dhe i dyshuari shkon në procedurë të rregullt për shkak te gjendjes shëndetësore të tij.
Policia ka apeluar te qytetarët që të jenë të kujdes dhe të mos ndezin zjarre në natyrë.
“Policia e Kosovës, ju bën apel të gjithë qytetarëve të Kosovës që të kenë kujdes, që në asnjë rast mos të ndezin zjarre dhe të jenë të kujdesshëm për mënyrën se si do të sillen ndaj ambientit me rrezik për përhapje të zjarreve. Në të kundërtën, Policia e Kosovës do të jetë e pa kompromis ndaj zjarrvënieve të qëllimshme, apo nga neglizhenca”, thuhet në apelin e policisë.