110 vjet nga Beteja e Lumës (15-17 nëntor 1912)
Më 9 nëntor 1912, forcat ushtarake serbe, të cilat kishin pushtuar Prizrenin (5 nëntor 1912) filluan operacionet ushtarake drejt Shqipërisë për të siguruar dalje në brigjet e Adriatikut shqiptar. Për ta realizuar këtë plan ushtarak – pushtues, komanda e armatës së III serbe, e dislokuar në Prizren kishte krijuar dy njësi të veçanta (Njësitë e bregdetit). Komanda e armatës së tretë gjithashtu kishte krijuar edhe një repart të veçantë (repartin e Lumës), i cili mori për detyrë të pushtonte këtë krahinë dhe krahinat e Hasit, Vërrinit, Opojës, Gorës…, të çarmatoste shqiptarët dhe të godiste pa mëshirë çdo rezistencë të tyre. Krahas pushtimit të tokave shqiptare dhe Shqipërisë, përmes këtyre operacioneve ushtarake gjithashtu synohej pengimi i shpalljes të Pavarësisië së Shqipërisë (28 nëntor 1912).
Shkruan: Skender Susuri
Beteja e Lumës u zhvillua më 15-17 nëntor 1912 në Qafë të Kolosjanit, ku nga dy krahët e saj filloi sulmi i furishëm i lumjanëve, por beteja u zhvillua ne gjithë territorin e Lumës, nga Kolesjani në Bicaj, Kullë të Lumës, Zhur, Curr, etj. dhe përfundoi me fitoren madhështore të forcave shqiptare-lumjane. Forcat ushtarake serbe, në pamundësi të luftimeve dhe përballjes me forcat shqiptare-lumjane, ushtruan gjenocid në popullatën e fshatrave të Lumës, duke vrarë, therur me bajoneta dhe masakruar në mënyrë barbare, me qindra pleq, gra e fëmijë, djegur dhe shkatërruar fshatra të tëra të kësaj ane/krahine.
Autorë të ndryshëm paraqesin shifër/numër të ndryshëm të forcave ushtarake serbe dhe të forcave mbrojtëse shqiptare-lumjane, të përfshira në këtë betejë, por është e vërtetuar dhe argumentuar se forcat ushtarake serbe ishin në numër shtatë (7) herë më të madh, në raport me forcat shqiptare-lumjane (7:1). Megjithatë forcat mbrojtëse shqiptare-lumjane nuk u dorëzuan para divizionit dhe armatës së III serbe, ata bënë luftime dhe rezistencë titanike në Zhur, Bardhoc e kudo tjetër, gjatë një tërheqjeje taktike mbrojtëse, shkallë-shkallë, deri në fushëbetejen e Kolosjanit (15-17 nëntor 1912).
Duhet sjell në kujtesën e të gjithë neve se, beteja e parë e përgjakshme u zhvillua në Qafë të Zhurit (9-12 nëntor 1912) dhe vijoi deri në grykën e Morinës. Në këtë lokalitet ushtria serbe për 2-3 ditë rresht pësoi goditje të rëndë, duke lënë në fushëbetejë shumë të vrarë, të plagosur dhe armë, nuk arriti të deportoj në thellësi të Krahinë së Lumës. Pas këtij dështimi, ushtria pushtuese serbe në shenjë hakmarrjeje, në fshatin Zhur mori peng 37 persona, të cilët më pas u dërguan në Prizren, me qëllim që të ushtrohet presion në popull, për të mos e përkrahur edhe më tutje rezistencën e armatosur shqiptare-lumjane – kryengritjen. Vlerësohet se në këto luftime morën pjesë rreth 1000 luftëtar shqiptar të çetave të fshatrave të Rrafshës së Lumës, të Tërthores e të Zhurit.
Beteja e Lumës (1912) është dëshmia, prova më kuptimplote dhe argumentuese se lumjanët dhe shqiptarët në përgjithësi, edhe pse nuk kishin mundësi, për arsye të rrethanave të përgjithshme të kohës, të kishin një organizim të mirëfillët ushtarak, ishin të organizuar dhe të vendosur të luftonin jo vetëm për mbrojtjen territoreit të Lumës kreshnike, por edhe shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë e cila ishte në prag (Vlorë, 28 nënor 1912). Humbjet e ushtrisë serbe në Betejen e Lumës, mbjellën frigë, i ndaluan dhe vonuan një javë forcat e armatës III serbe në rajonin e Prizrenit për t’u riorganizuar, duke i dhënë kohë Ismail Qemalit, të mbërrinte në Durrës, para se të mbërrinin aty repartet e ushtrisë serbe. Me shumë të drejtë studiuesit dhe historianët e thojnë se, në Lumë u mbrojtë jo vetëm Luma, por edhe Vlora dhe gjithë Shqipëria.
Në këtë nëntor (2022) kur do të duhej ta shënonim me evente të ndryshme shkencore dhe të tjera 110 vjetorin e Betejes së Lumës, përmes këtij shkrim të shkurtër, më shumë rikujtues, nuk synoj të analizojë këtë betejë në aspektin historik, luftarak, strategjik, diplomatikë etj. sepse ka shumë studiues të cilët janë më të zot dhe kompetent, të cilët edhe kanë bërë studime dhe publikime të kësaj natyre, për këtë betejë madhështore (prof.Shefqet Hoxha, Sali Onuzi, Shaban Braha, Sheradin Berisha etj) por dua të sjelljë në kujtesën e gjeneratave të tanishme, organizimet, angazhimet, sakrificat, luftërat e paraardhësve tanë për liri dhe pavarësi, të shpreh mirënjohjen e pafund për të gjithë ata burra dhe gra, trima dhe trimresha pjesëmarrës, tani të ndjer, në veçanti për dëshmorët dhe martirët e kësaj beteje.
Gjithashtu dua të sjell në kujtesën e institucioneve, që ngjarje të tilla, të cilat janë me interes dhe vlera kombëtar dhe përbëjnë ngjarje të rëndësishme historike kombëtare, duhet vlerësuar dhe shënuar.
Luma, Zhuri, Vërrini, Hasi dhe Prizreni në përgjithësi, në të gjitha etapat e zhvillimeve të rëndësishme, historike dhe kombëtare kanë dhënë kontributet e tyre, për liri dhe pavarësi, për shtetndërtim dhe demokraci, të cilat duhet rikujtura, shënuar dhe vlerësuar.
E kemi borxh, obligim moral dhe institucional që si individ, organizime në formë të shoqatave, klubeve dhe të tjera, por mbi të gjitha si institucione, që ngjarjeve, organizimeve dhe zhvillimeve të kësaj natyre t’i kushtojmë vëmendjen dhe kujdesin e merituar. “Duke vlerësuar të kaluarën ndërtojmë të ardhme” – është një maksim e cila gjithnjë duhet patur në konsideratë.
Mirënjohje e pafund dhe lavdi të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të Betejës së Lumës 1912!
Lavdi të gjithë dëshmorëve për liri dhe pavarësi të shqiptarëve!