20 vjet burgim për të akuzuarit për vjedhjen në “Viva Fresh” në Korishë

Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur fajtorë dhe ka dënuar me nga 5 vite burgim dhe me nga 2 mijë euro gjobë katër të akuzuarit V.K, L.S, A.A dhe B.S për vjedhjen grabitqare në bashkëkryerje në ‘Viva Fresh Store’ në Korishë të Prizrenit.

Sipas aktgjykimit, në dënimin me burgim, të akuzuarve do t’iu llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 20 shtatori 2020.

Gjykata të akuzuarve ua ka vazhduar masën e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.

Të akuzuarit po ashtu janë të obliguar të paguajnë paushallin gjyqësor, secili në shumën prej 200 euro, ndërsa në emër të kompensimit të viktimave të krimit nga 50 euro.

I akuzuari B.S është obliguar edhe në pagesën e shpenzimeve për raportin psikiatrik të mjekut në shumën prej 150 euro si dhe 50 euro për prezantimin e ekspertit në seancë gjyqësore.

Ndërsa, të akuzuarin Xh.A, gjykata e ka liruar nga akuzua për përdorim të armës.

Ndryshe, V.K, L.S, A.A dhe B.S akuzoheshin se më 2 shtator 2020, në fshatin Korishë të Komunës së Prizrenit, në qendrën tregtare “Viva Fresh Store”, në bashkëveprim edhe me të miturin H.B., të zënë në befasi në kryerjen e aktit të vjedhjes, me qëllim pasurinë e vjedhur ta mbajnë, përdorin armën e zjarrit për ta sulmuar personin tjetër.

Në aktakuzë thuhet se A.A duke pasur armën me vete si dhe duke përdorur forcën përmes një shufre metalike, në shoqërim të të miturit i cili ka pasur në dorë një kaçavidë, hapin derën e qendrës tregtare dhe të gjithë futen brenda, ku arrijnë të përvetësojnë një sasi të konsiderueshme të cigareve.

Gjatë daljes nga qendra tregtare thuhet se ata vërehen nga dëshmitari Xh.A, i cili ishte edhe pronar i objektit, ku A.A me të kuptuar që janë vërejtur nga pronari i objektit ka shkrepur me armë në ajër dhe më pas hipin në veturën “Renault Megane” dhe largohen në drejtim të panjohur, duke i shkaktuar kështu “Viva Fresh Store” dëm material.

Me këto veprime, ata ngarkoheshin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “vjedhja grabitqare”.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, thuhet se Xh.A, gjatë kohës kur ka zënë të lartpërmendurit në flagrancë, ka përdorur armën e zjarrit në kundërshtim me ligjin, ndonëse për të njëjtën posedon leje nga organi kompetente, raporton Betimi për Drejtësi.

Aty thuhet se derisa A.A ka shtënë me armë zjarri në ajër për ta frikësuar Xh.A, ky i fundit gjithashtu nga tarraca e shtëpisë ku banon shtie 4 herë me armë në ajër, nga frika për të dhe familjen e tij, me qëllim që t’i largojë të pandehurit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *