289 raste positive me COVID 19, në Prizren 10 raste, 14 vdekje
Gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratoret private me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 1.468 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 289 raste pozitive.
Brenda 24 orëve janë raportuar 14 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Prishtinë 5 raste (78, 74, 65, 62, 56 vjeç), Gjilan 1 rast (77 vjeç), Istog 1 rast (86 vjeç), Malishevë 1 rast (81 vjeç), Pejë 1 rast (47 vjeç), Prizren 1 rast (88 vjeç), Shtime 1 rast (80 vjeç), Suharekë 1 rast (80 vjeç), Viti 1 rast (71 vjeç), Vushtrri 1 rast (54 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 57.317 raste nga 216.409 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.447 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 303 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 50.487 raste, kurse numri i rasteve aktive është 5.383.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 107 raste, Gjakovë 22 raste, Podujevë 22 raste, Lipjan 19 raste, Gjilan 14 raste, Fushë-Kosovë 13 raste, Ferizaj 12 raste, Pejë 10 raste, Prizren 10 raste, Drenas 9 raste, Kamenicë 8 raste, Rahovec 8 raste, Viti 8 raste, Obiliq 5 raste, Klinë 4 raste, Suharekë 4 raste, Malishevë 3 raste, Vushtrri 3 raste, Istog 2 raste, Shtime 2 raste dhe me nga një rast komunat Deçan, Dragash, Graçanicë dhe Kaçanik.
Të nderuar qytetarë,
Duke pasur parasysh vlerësimin e situatës aktuale me COVID -19, sot kemi regjistruar 14 raste të vdekjeve që është numri më i madh të rasteve të vdekjeve që nga fillimi i vitit. Ngushllime të sinqerta familjarëve për të gjitha rastet që nuk mundën të fitojnë betejën me COVID-19. Mjekët në spitale po luftojnë kundër këtij virusi tinzar e shkatrrimtar me tërë fuqinë e tyre profesionale dhe njerëzore.
Numri i rasteve pozitive vazhdon të jetë i lartë dhe brengosë si pasojë e drejtëpërdrejtë e neglizhimit të masave.
IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
Në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike.
Grumbullimi i qytetarëve pa maska dhe mbajtje të distancës shton rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent në mesin tonë.
Apelojmë tek institucionet përgjegjëse, përkatësisht Policia e Kosovës dhe inspektoratet përgjegjëse që të mbikëqyrin me përpikëri dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e masave dhe vendimeve të tjera në fuqi në zbatim të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë në territorin e Republikës së Kosovës.
Qytetarë të nderuar,
Ju lutemi për kujdes të shtuar!
Që të shmangni shkaqet dhe pasojat e infeksionit:
Respektoni masat kufizuese për grumbullimet dhe tubimet publike!
Mbuloni gojën dhe hundën me maskë!
Mbani higjienën!
Respektoni distancën!