32 policë u arrestuan vitin e kaluar nën dyshimin se kanë kryer vepra penale

Inspektorati Policor i Kosovës gjatë vitit të kaluar ka pranuar mbi 1650 ankesa ndaj zyrtarëve policorë, një rritje e ndjeshme prej 16% me vitin paraprak. Një prej arsyeve që ka ngjallur pakënaqësi ndaj policëve, sipas Inspektoratit, janë masat anti-COVID. Si pasojë e ankesave, 83 zyrtarë policorë janë suspenduar, janë ngritur kallëzime penale në 82 raste dhe janë arrestuar 32 zyrtarë policorë.

Kryeshefi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj deklaroi se për këta zyrtarë policorë ka dyshime për vepra penale të ndryshme. Ai thotë se rastet më te shpeshta janë të keqtrajtimit të qytetarëve, keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe aksidente në trafik.

“Kemi pranuar mbi 1650 ankesa gjatë vitit 2020. E që është një numër 15 ose 16 përqind më e lartë se sa vitin paraprak. Jemi duke finalizuar raportin e dhjetorit edhe duke bërë analizat edhe vlerësimet pse është kjo rritje. Kemi vlerësim që një pjesë mund të jetë prej efektit të masave anti-COVID dhe pakënaqësive të qytetarëve me shqetësimin e masave anti-COVID. Është një numër i ankesave që lidhen me këtë”, tregon Hodaj.

Hodaj flet edhe për masat e shqiptuara për pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Për të gjithë zyrtarët e hetuar, ai shton se aktualisht janë duke u marrë prokuroritë kompetente.

“Ne kemi kërkuar apo rekomanduar suspendimin e 83 zyrtarëve policorë. Kemi ngritur kallëzime penale në 82 raste penale të cilat janë iniciuar. Janë arrestuar 32 zyrtarë policorë që lidhen me dyshime të veprave penale. Dhe gjithashtu gjashtë qytetarë të cilët janë pjesë e këtyre rasteve të përbashkëta me zyrtarë policorë. Pjesa e veprave penale të cilat janë shqyrtuar janë dërguar në prokuroritë kompetente apo të veçanta varësisht prej të gjeturave”, shton ai për KP.

Gjatë vitit paraprak, ai tregon se janë kryer tri inspektime të jashtëzakonshme. Ndërkohë, shton se edhe fillimi i këtij viti ka vijuar me numër të madh të ankesave të qytetarëve.

Madje, vetëm javën e fundit gjashtë zyrtarë janë suspenduar, të cilët dyshohen për keqtrajtim të qytetarëve.

Ditëve të fundit është arrestuar edhe zyrtari policor, Haris Kelmendi nën dyshimin se gjatë vitit 2018, ka keqtrajtuar fizikisht një 18-vjeçar, në stacionin policor në Prishtinë. Për këtë rast, Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar edhe një zyrtar policor nën dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”.

“Kanë vazhduar më tutje hetimet në drejtim të zgjerimit dhe të gjetjes së personave të tjerë që kanë qenë përgjegjës në momentin kur ka ndodhë ai përdorim i dhunës brenda stacionit policor (rasti i 18-vjeçarit në Prishtinë). Dhe është identifikuar dhe është arrestuar gjithashtu zyrtari policor i cili është marrë me trajtimin e rastit të atij qytetari në momentin kur ka ndodhë. Natyrisht me zbatimin të urdhëresës së prokurorit e kemi ndaluar edhe zyrtarin e dytë që lidhet me këtë rast. Gjithashtu kemi rekomanduar suspendimin e një rreshteri që ka qenë në ndërrimin që ka qenë atë ditë në rast”, deklaron Hodaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *