Inaugurohet reparti i renovuar i Kirurgjisë në Spitalin e Prizrenit, mbështetur nga qeveria e Luksemburgut
Të premten, është bërë inaugurimi i repartit të renovuar të Kirurgjisë në Spitalin Rajonal të Prizrenit, përmes mbështetjes së Qeverisë së Luksemburgut.
Pjesë e inaugurimit të repartit të Kirurgjisë përveç drejtuesve dhe stafit të Spitalit të Prizrenit, ishin edhe ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi i shoqëruar nga zv/ministri, Arsim Berisha, dhe ambasadorja e Luksemburgut në vendin tonë, Natacha Gomes.
Drejtori i Spitalit, Afrim Avdaj, tha se edhe kjo ngjarje shënon një ditë të veçantë për institucionin më të rëndësishëm shëndetësor në Prizren.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, falënderoi qeverinë e Luksemburgut për këtë projekt i cili sipas tij, ndikon në zhvillimin dhe avancimin e Kirurgjisë. Ndërkaq, ambasadorja e Luksemburgut, Natacha Gomes, tha se ky projekt është një shembull i modernizimit të Kirurgjisë edhe për Spitalet tjera në Kosovë.
Ndryshe, për 18 vite rresht, qeveria e Luksemburgut përmes projekteve të ndryshme ka ndihmuar Spitalin e Prizrenit, duke qenë ndër mbështetëset më të mëdha të këtij institucioni.