Themelorja refuzon padinë e KOSTT-it ndaj ZRRE-së për energjinë elektrike në veri
Qytetarët në veri të vendit po vazhdojnë tash e sa vite të mos paguajnë për energjinë elektrike të shpenzuar. Ndërkohë, KOSTT nuk po arrin t’i paguaj ato shpenzime, gjë që edhe kishte dorëzuar padi ndaj ZRRE-së, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, duke kërkuar që të lirohet kjo nga kjo pagesë. Megjithatë, Themelorja ka refuzuar këtë padi.
Më 24 maj të vitit 2022 KOSTT në një përgjigje për KP, kishte pranuar se e ka paditur ZRRE-në për të anuluar nenin 5 të licencës për Operatorin e Sistemit të Transmetimit, nen ky që ka të bëjë me kompensimin e të gjitha të hollave që i ka dhënë KOSTT për veriun.
KosovaPress ka arritur të sigurojë aktvendimin e Gjykatës Themelore në të cilën thuhet se paditsja me asnjë provë nuk e ka bërë të besueshëm pretendimin e saj.
Jeta Statovci, deputete e grupit parlamentar të LVV-së, e cila është edhe pjesë e komisionit për ekonomi dhe ndërmarrësi, ka thënë se Gjykata Themelore e Kosovës e ka refuzuar kërkesën e KOSST-it, si të pa bazë.
“Padia e KOSTT në raport me ZRRE-në lidhet me nenin 5 në të cilën e mban KOSTT, ka të bëjë me mbulimin e devijimit në pjesën veriore në kuadër të dokumentacionit që ne e kemi parë parimisht lidhet me pamundësinë apo problematikat që derivojnë në pjesën veriore pasi që ato nuk janë të përfshira në tarifat e energjisë elektrike. Ne e dimë që në të kaluarën ato kanë qenë të përfshira si tarifa të energjisë elektrike dhe janë paraparë si shpenzime, mirëpo sipas vendimit të vitit 2017, ai obligim ka kaluar nga ana e KESCO në anën e KOSTT. KOSTT në kuadër të dokumentacionit është i vetëdijshme shqetësimet që i mbarvon, mirëpo gjithashtu paraqitet të ketë shqetësime në raport me gjetjen e masave apo gjetejen e mjeteve në mbulimin e këtyre devijimeve ku pra duhet të derivojnë këto mjete…. Parimisht sot jemi informuar se ka disa veprime nga ana e gjykatës të cilët kryesisht vlerësohet që për shkak të mbështetjes së vazhdueshme që parimisht në të kaluarën ka derivuar nga ana e qeverisë por edhe mbështetjes së fundit ku përmes dividendës janë mbuluar shpenzimet të cilat derivojnë në pjesën veriore, pra është vlerësuar si e pabazë një kërkesë e tillë dhe pastaj mbetët të shihet si do të veprohet në mes të dy institucioneve” ka thënë Statovci.
Për humbjet e shkaktuara dhe dëmet që i janë bartur KOSTT-it, Ferat Shala, deputet i grupit parlamentar të PDK-së ka thënë se KOSTT vullnetarisht kishte kërkuar të merr përsipër pagesën e energjisë elektrike për qytetarët e veriut të Kosovës. Sipas tij, fajtorë janë ZRRE dhe qeveria.
“Keqmenaxhimi i sektorit energjetik të vendit po vazhdon fatkeqësisht, KOSST ka reaguar me kohë të vonuar, do të thotë do duhej të reagonte në momentin kur ka fillu të implementohet kjo padrejtësi që iu është bërë KOSTT-it, e dyta KOSTT ka marrë përsipër në komision që obligimet t’i kryen me dividend që prapë është gabimi që vet KOSTT ka marrë përsipër publikisht që divijimet do t’i mbulon me fonde të veta dhe sot KOSTT, reagon kur praktikisht është zhytur në borxhe dhjetëra miliona euro ose 50 deri 60 milionë euro. Është e drejtë e tyre që të ankimojnë në Gjykatë për një padrejtësi që iu është bërë por që ka dëshmi që ata janë deklaruar publikisht që kanë mjete e atëherë unë kam insistuar që kjo është një padrejtësi e madhe që qeveria dhe ZRRE-ja po ia bëjnë KOSTT-it dhe sot mendoj që KOSTT është i dëmtuar por që bashkë aksionar në këtë proces të dëmtimit është Zyra e Rregullatorit dhe Qeveria” deklaroi Shala.
KosovaPress ka kontaktuar zyrtarët e KOSTT-it, por ata nuk kanë kthyer përgjigje nëse do ta ankimojnë aktvendimin e themelores në Gjykatën e Apelit. /KP/