Presidenti Begaj: Vizita tek Lidhja e Prizrenit ka një simbolikë të jashtëzakonshme
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj me vizitën në Kompleksin e Lidhjes së Prizrenit ka përmbyllur qëndrimin e tij në Kosovë. Ai në kryeqytetin e kulturës tha se shpreson që ngjarja e Lidhjes së Prizrenit t’i bëjë të dy anët e kufirit të mendojnë për vizionin dhe aspiratat që kanë pasur udhëheqësit e asaj kohe, dhe t’i kthejnë në realitet në ditët e sotme.
Begaj pas homazheve tek Kompleksi i Lidhjes së Prizrenit tha se kjo vizitë ka një simbolikë të jashtëzakonshme.
“Është kënaqësi e madhe që të jem në Prizren në qytetin e mrekullueshëm të një nga ngjarjeve më të rëndësishme të popullit shqiptar, të Lidhjes së Prizrenit dhe mendoj se ardhja këtu ka një simbolikë të jashtëzakonshme sepse qyteti përfaqëson vlerat e qëndresës, të bashkimit dhe bashkëpunimit. Kështu shpresoj që kjo ngjarje t’i bëjë të dy anët e kufirit të mendojnë për vizionin dhe aspiratat që kanë pasur në atë kohë udhëheqësit e asaj kohe dhe t’i bëjmë realitet në ditën që ne po jetojmë”, theksoi Begaj.
Ndërsa kryetari i komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj tregoi për temat që kanë folur me presidentin shqiptar.
Sipas tij, bashkëpunimi dhe mundësia e unifikimit të vlerave ishin çështjet kryesore për të cilat kanë biseduar.
“Është privilegj që presidenti i Shqipërisë po na viziton, jo rastësisht ka ardhur në komunën e Prizrenit për shkak të peshës specifike, për shkak të traditës por edhe për shkak të rëndësisë që ka për historinë kombëtare për trashëgimin tonë që e kemi dhe perspektivën që gjithsesi biseduam për një të ardhme më të mirë për bashkëpunim e unifikim të shumë gjërave dhe shumë vlerave që neve na bashkojnë dhe jam i sigurt që në këtë drejtim do të lëvizim dhe do të jemi të suksesshëm”, u shpreh Totaj.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj i cili nga dita e hënë ka nisur vizitën në vendin tonë ka takuar krerë të lartë shtetërorë, ku me nderime të larta u prit nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e më pas u prit edhe nga kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe nga kryeministri, Albin Kurti.
Gjatë ditës së sotme presidenti shqiptar u takua edhe me krerët opozitarë në vend, por jo edhe me të parin e LDK-së.
Në ditën e parë në Prishtinë presidenti i Shqipërisë ka deklaruar se të dy vendet ndajnë aspiratat e njëjta drejt rrugës evropiane.
Kjo është vizita e parë zyrtare prej kur Bajram Begaj ka marr postin e kryetarit të shtetit dy javë më parë.