Kryetari I Prizrenit Shaqir Totaj priti sot aktoren e madhe shqiptare, Tinka Kurti
Kryetari Shaqir Totaj priti sot aktoren e madhe shqiptare, Tinka Kurti, të vlerësuar me medaljen “Artistja e Popullit të Shqipërisë”, për t’i ndarë mirënjohje për veprën e saj jetësore me rastin e vizitës së saj në Prizren për promovimin e librit biografik “Tinka Kurti – Ditari i një bashkëshorti”.
Me këtë rast, Kryetari Totaj tha se ndikimi i Tinkës në kinematografinë dhe teatrin kombëtar është tejet i madh si dhe është model për brezat e rinj të aktorëve në trevat shqiptare.
Kryetari Shaqir Totaj numëroi edhe rolet më të fuqishme dramatike të saj që kanë qenë rolet e nënave, por, po kaq ka qenë e suksesshme në zhanrin e komedisë.
“Tinka njihet si protagoniste e filmave “Gjaku i Arbrit”, “Histori Irkutase”, “Fisheku në pajë” apo “Fejesa e Çehovit”. Vlen të theksohet se Tinka Kurti ka interpretuar në filmin e parë shqiptar të metrazhit të gjatë, “Tana”, në vitin 1958” – tha Kryetari Totaj.
Tinka Kurti ka marrë çmime të shumta, si në festivalet kombëtare të filmit, ashtu edhe në ato të teatrit. Këtyre çmimeve u shtohen edhe vlerësime të tjera të rëndësishme, si medalja “Mjeshtër i Madh i Punës”, e dhënë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.