Një muaj paraburgim ndaj dy të dyshuarve në Prizren për substanca narkotike

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda,gjyqtarja eprocedurës – Raima Elezi, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 16.11.2022 dhe mund të zgjasë deri më datën 16.12.2022 ndaj të pandehurve A.D., dhe V.D., për shkak të dyshimit zë bazuar se secili veç e veç dhe në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:
I pandehuri A.D., me datë 22 Tetor në orët e pasdites, pas zbatimit të Urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda, për zbatimin e masave të fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit, haset nga Policia e Kosovës duke i shitur personit tjetër një qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë në peshë të përgjithshme prej 4.79 gram, për të cilën substancë, klienti i tij ia ka paguar shumën prej njëqind euro (100 €).

I pandehuri V.D., me datë 06 Nëntor, në orët e pasdites, pas zbatimit të Urdhëresës së Gjykatës Themelore në Prizren – Departamenti për Krime të Rënda, për zbatimin e masave të fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit, haset nga Policia e Kosovës duke i shitur personit tjetër një qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë në peshë të përgjithshme prej 5.33 gram, për të cilën substancë klienti i tij ia ka paguar shumën prej njëqind e njëzet euro (120 €).

Secili veç e veç dyshohen për veprën penale Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Gjithashtu, të pandehurit A.D., dhe V.D., në bashkëkryerje, dyshohen se kanë kryer veprën penale si më lartë, ashtu që me datë 16 Nëntor, në orët e hershme të mëngjesit, në shtëpinë e tyre, e cila gjendet në fshatin Shpenadi – Komuna e Prizrenit, pa autorizim posedojnë me qëllim të shitjes apo shpërndarjes substanca apo preparate, të cilat janë shpallur me ligj si narkotikë, në atë mënyrë që pas zbatimit të Urdhër-Kontrollit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren – Departamenti i Krimeve të Rënda – Gjyqtari i Procedurës Paraprake, Policia e Kosovës – DHTN në Prizren, arrijnë të gjejnë dhe përkohësisht të sekuestrojnë: gjetur dhe sekuestruar: 805.5 gr substancë dyshohet të jetë heroinë, 1.1 gr. marihuanë dhe dëshmi tjera relevante për rastin të cilat substanca i kanë pasur të përgatitura dhe të destinuara për shitje.

Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Me rastin e caktimit të paraburgimit, Gjykata ka marrë parasysh peshën e rëndë dhe rrezikshmërinë, e veprave penale për të cilat dyshohen të pandehurit, po të lihen në liri të njëjtit mund të arratisen me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale.

Gjykata ka ardhur në përfundim se caktimi i masës së paraburgimit në këtë fazë është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm, me qëllim të parandalimit të përsëritjes së veprës penale, pasi që të pandehurit janë kapur në flagrancë gjatë aplikimi të masave të fshehta.

Shënim:Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *