Avokati i gruas që dyshohet se e vrau kunatën: E goditi me dru në shpinë dhe në kokë, tha se s’kishte qëllim t’i bënte keq
Besim Morina, avokati i N.A., e dyshuar për vrasjen e kunatës së saj S.D., në Kuk të Dragashit, ka treguar se çfarë ka deklaruar e dyshuara kur e ka pranuar se kishte kryer krimin.
I kontaktuar nga Gazeta Express, avokati Besim Morina tha se N.A., gjatë dhënies së deklaratës në polici është shprehur tejet e shqetësuar dhe vazhdimisht ka qajtur.
Sipas avokatit, e dyshuara ka deklaruar se ka goditë viktimën me një dru në shpinë dhe në kokë, por jo me qëllimin që “t’i bëjë ndonjë të keqe”.
“Intervistën e ka dhënë mbrëmë, është deklaru për 1 orë e gjysmë, e ka pranu veprën pa ndonjë presion. Sipas deklarimeve të saj, megjithatë kjo ishte intervista e parë, ajo nuk ka qenë fare në gjendje stabile emocionale. Kanë jetu bashkë më viktimën dhe kanë varfëri. Sipas të dyshuarës, viktima ka qenë arrogante. Ajo thotë e ka goditë, me një dru të shkurtë. Një herë në shpinë e pastaj edhe në kokë 1-2 herë”, tha avokati Morina për Gazetën Express.
Avokati Morina tha se e dyshuara N.A., ka probleme shëndetësore dhe e njëjta ka deklaruar se s’ka përdorë barna që 1 vit sepse nuk ka para për t’i blerë.
“Pres që kur të deklarohet në prokurori të qetësohet sepse ishte shumë e traumatizuar dhe vetëm qante. E pranonte dhe qante se nuk ka goditë me bë diçka të keqe edhe deklaroi që ka 1 vit që ska përdorë ilaçe se s’ka para”, tha avokati.
Sipas Prokurorisë Themelore e Prizrenit, N.A., e ka goditur disa herë me mjete të forta viktimën në pjesë të ndryshme të trupit, ku si pasojë ka ardhur deri te vdekja e viktimës. “Në rastin konkret e njëjta, dyshohet për veprën penale “Vrasje e rëndë” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Me urdhër të prokurorit e njëjta është ndaluar për 48 orë”, ka njoftuar prokuroria.
Fillimisht rasti në polici ishte hapur si “vdekje e dyshimtë”, por kur mjeku kishte vërejtur shenja dhune në trupin e pajetë të 67-vjeçares kishin filluar hetimet dhe më pas rasti i rikualifikua si “vrasje e rëndë”.
Prokuroria Themelore e Prizrenit do të parashtrojë kërkesë në gjykatën kompetente për caktimin e masës së paraburgimit ndaj N.A.
Prokuroria kishte ngritë aktakuzë kundër N.A., dhe djalit të saj (nipit të viktimës), për dhunë në familje disa ditë para ngjarjes tragjike.
Gazeta Express mëson se N.A., dhe djali i saj me 8 tetor të këtij viti e kishin nxjerrë nga shtëpia viktimën me të meta mendore duke e dërguar në një shupë.
“Më datë 08.11.2022, në fshatin Kuk, komuna e Dragashit, saktësisht në shtëpinë e tyre të përbashkët, të pandehurit (N.A., dhe J.A.,)në bashkëveprim me njëri tjetrin kryejnë dhunën psiqike me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër brenda një marrëdhënieje familjare- të dëmtuarës/ kunatës dhe hallës S.D., në atë mënyrë që të pandehurit ditën kritike, e nxjerrin nga shtëpia të dëmtuarën e cila është e moshuar dhe me të meta mendore duke e dërguar për të qëndruar në një pjesë të oborrit (shupë), e kështu i shkaktojnë të njëjtës shqetësim emocional”.Me këto veprime në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale: Dhuna në familje nga neni 248 par.2 lidhur me par.1 lidhur me nenin 31 të Kodit penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në aktakuzën e ngritur me 21 dhjetor të këtij viti.