Gastronomët kërkojnë financimin e pagave të punëtorëve dhe mbulimin e qirasë prej 40 %
Sektori i Gastronomisë po kërkon mbulimin e pagave për punëtorët dhe qirave, së paku 40 për qind. Të njëjtit po kërkojnë ndihmë reale për bizneset, dhe zgjatjen e orarit të punës së kafiterive, meqë siç thonë ata, janë duke humbur shumë. Kërkesa kanë edhe odat, ku sipas tyre shpërndarja e mjeteve nga pako e rimëkëmbjes ekonomike duhet të bëhet për veprimtaritë që gjatë kësaj kohe kanë qenë më të prekura.
Në seancën e djeshme, ka marrë fund ‘saga’ e projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike. Atë e votuan 72 deputetë, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje nuk morri pjesë fare në votim. Projektligji, përveç disa ndihmesave që parasheh për bizneset, përfshinë edhe mundësinë për tërheqje të 10 për qind të trustit pensional.
Veton Zuka nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, thotë se tashmë kanë bërë një hulumtim për humbjet e vendeve të punës në këtë sektor. Përsërit edhe një herë se ky sektor është prekur shumë nga pandemia.
Ai përsërit se sektori i gastronomisë është prek shumë nga pandemia.
“Kërkesa është financimi i pagave, me u ndajt prej pagave për punëtorë. Financimi për qiratë, gjysma, eventualisht 40 për qind. Dhe përgjithësi qarkullimi i vitit të kaluar, me u bo qaj krahasim me ardhur diku deri në 75 për qind të qarkullimit të vitit të kaluar me u kalkulu në këtë vit, në mënyrë që me qenë ndihma reale për bizneset”, thotë Zuka.
Zuka për KosovaPress thekson edhe kërkesën për zgjatjen e orarit të punës, meqë sipas tij, janë duke u dëmtuar shumë.
“Kjo ndalesë e punës në minus të qarkullimit, në humbje në përgjithësi të bizneseve. Një nga kërkesat që ke edhe në takim me kryeministrin, ishte edhe përcaktimi i orarit, ose zgjatja e orarit. Sa do që është e mundur, se ne po e dimë edhe gjendjen qysh është edhe në spitale, dhe si është gjendja e COVID-it, por sido që të jetë ne me shtimin e masave edhe mirëmbajtjes së masave, të njëjtën kohë kemi kërkuar edhe zgjatjen e orarit. Tash është mbet edhe me vendos kryeministri edhe me komision edhe me IKShP në mënyrë që së paku po shpresojmë që ka me ndodhë edhe zgjatja e orarit”, shton ai.
E kryetari i Odës së Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva për KosovaPress, thotë se duhet që sa më shpejt të fillojë implementimi i këtij ligji, në mënyrë që të lehtësohet gjendja e rëndë, e cila e ka kapluar vendin dhe shumë biznese.
“Kërkojmë që shpërndarja të jetë tek ato veprimtari qe kane qenë më të atakuara e jo tek ato që kanë punuar pothuajse gjatë gjithë kohës ose se paku nuk kanë pas kufizime. Besojmë qe me këtë ligj nuk do te ndikojnë sado ne përmirësimin e gjendjes, por ne si OHTK kërkojmë që të gjenden format qe qeveria te nëpërmjet kredive apo huazimeve kreditore të rrit këtë pako të rimëkëmbjes ekonomike”, ka thënë ai në një përgjigje elektronike.
Veç tjerash, Sogojeva thotë se ekzekutivi duhet të ndikojë në bankat, që interesin e kredive përveç ndalimit në kohë pandemie, kur të fillohet me ndalesa, mos të kërkohet që ndalesat të paguhen prej fillimit të pandemisë.
Kjo odë para disa ditëve kishte përmendur edhe protestat në rast se nuk miratohet ky projektligj, ndërkohë që ka paralajmëruar padi për qeverinë Hoti e Kurti. Kjo për shkak se sipas tyre, kanë marrë masa të cilat kanë qenë antikushtetuese.
Projektligji në fjalë kishte gjithsej 18 amendamente, katër nga Partia Demokratike e Kosovës.
Këto të fundit, parashikojnë që personave që tërheqin 10% nga Trusti Pensional, e të cilët kanë më pak se 10 mijë euro në këtë fond, shteti do t’ua rimbursojë shumën e tërhequr.