Gjykimi për shpërthimin në Zhur, njëri i akuzuar mbrohet në heshtje
Në gjykimin për shpërthimin në Zhur, i akuzuari Arben Gashi ka vendosur të mbrohet në heshtje, ku së bashku me të akuzuarin Iran Badalli, po ngarkohen se kishin vendosur mjet eksplodues në shtëpinë e të akuzuarit Badalli në fshatin Zhur, me rastin e bastisjes nga Policia, mjeti kishte shpërthyer ndërsa kishte mbetur i vdekur polici, S.Th.
Këtë qëndrim i akuzuari Gashi e ka bërë të ditur të premten në Gjykatën Themelore në Prizren, ku tha se qëndron pranë deklaratës së dhënë në Prokurori dhe se dëshiron të mbrohet në heshtje, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I akuzuari Gashi, të drejtën e mbrojtjes në heshtje, e ka shfrytëzuar para vazhdimit të marrjes në pyetje nga përfaqësuesi i të dëmtuarës Merita Qunaj, avokatit Blerim Mazreku. Ai ka shtuar se nuk dëshiron të përgjigjet më tutje në pyetjet e avokatit Mazreku, avokatit Besnik Berisha, avokatit Valdrin Gashi dhe të akuzuarit Badalli.
Sipas mbrojtësit të akuzuarit Gashi, avokatit Esat Gutaj i mbrojturi i tij bazuar në dispozita ligjore dëshiron që të përgjigjet vetëm në pyetjet e trupit gjykues.
Pas kësaj, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi me kërkesën e palëve për përgatitje të fjalës përfundimtare këtë seancë e ka ndërprerë, kurse ajo e radhës është caktuar të mbahet më 29 qershor 2023.
Ndryshe, prezentë në këtë seancë nuk ishte i dëmtuari Artur Mrasori. Po ashtu prezentë nuk ishte përfaqësuesi i të dëmtuarit Mrasori, avokati Besnik Berisha, për të cilin avokati Mazreku tha se i njëjti nuk mund të jetë prezentë për arsye shëndetësore familjare.
Sipas aktakuzës, dy të pandehurit Iran Badalli dhe Arben Gashi, në fillim të muajit janar 2020, në Prizren janë furnizuar me mjet eksplodues nga i akuzuari Valbon Çollaku, e pastaj të njëjtin e kanë fshehur në krevatin e fëmijëve ne dhomën e katit të II të shtëpisë të të akuzuarit Iran Badalli në fshatin Zhur, Komuna e Prizrenit dhe pas një kontrolli të autorizuar të kësaj shtëpie nga Njësiti për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, më 28 janar 2020, rreth orës 20:00, në kontakt me këtë mjet, i njëjti ka eksploduar, ku ka gjetur vdekjen zyrtari policor S.Th, kurse policët tjerë të Njësitit gjegjës – të dëmtuarit Artur Mrasori, Jetmir Hasanaj dhe Arsim Byrtyqi si dhe fëmija S.B., kanë pësuar lëndime të rënda trupore.
Me këto veprime, sipas prokurorisë, të akuzuarit kanë kryer në bashkëkryerje veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356, paragrafi 5, 4 dhe 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërsa, në dispozitivit II të aktakuzës, thuhet se në vend dhe kohë të njëjtë të përshkruar përafërsisht si në pikën I të dispozitivit të aktakuzës, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm mbi armët, përveç eksplozivit të lartcekur të shpërthyer, kanë pasur të fshehur edhe eksplozivin e mbetur TNT me peshë prej 809.1 gr dhe një detonator mekanik, në të cilin ishte i vendosur një fitil ngadalndezës në gjatësi 63 cm.
Me këtë, të akuzuarit në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.