Totaj befasohet nga Kurti: Na telefonuan të shtunën në mbrëmje, kërkuan takim të dielën
Shaqir Totaj është befasuar nga një telefonatë që pranoi mbrëmjen e së shtunës më 12 gusht. E morën nga kabineti i Albin Kurtit.
Kabineti i kryeministrit i kërkoi atij që ta priste shefin e qeverisë në një takim të nesërmen, të dielën e 13 gushtit, ka treguar Totaj në një intervistë për Radio Televizionin e Kosovës.
Ai e ka cilësuar “befasuese” vizitën e kryeministrit të dielën e kaluar. Ka thënë se është vizita e parë e Kurtit në zyrën e kryetarit të Prizrenit.
“E kishim një vizitë befasuese të kryeministrit në Prizren, sepse të shtunën në mbrëmje na kanë telefonu për t’i pritur në takim të dielën paradite. Edhe e shtuna dhe e diela janë vikend. Shumë lehtë ka mundur të mos jem unë aty fare. Natyrisht që e kemi pranu sepse është kryeministër dhe është një mundësi me bashkëpunu”, ka thënë Totaj në një intervistë për RTK-në të hënën në mbrëmje. “Kjo është vizita e parë. Asnjëherë s’ka qenë kryeministri Kurti në vizitë zyrtare te kryetari i Komunës, e në Prizren ka qenë”
Totaj ka thënë se në dy vitet e para të mandatit të tij si kryetar i Prizrenit, ka pritur në zyrë shumë ambasadorë e përfaqësues të organizatave të huaja në Kosovë, por vetëm një herë kryeministrin e Kosovës.
Ai ka thënë se për mungesën e bashkëpunimit me nivelin qendror të qeverisjes, i ka informuar edhe ambasadorët e huaj në Kosovë.
“Ambasadorët janë të njoftuar edhe janë të informuar ata”, ka deklaruar kreu i Komunës së Prizrenit.