Nën kërcënimin e thikës grabitën telefon e para, arrestohen dy persona në Prizren, i dyshuari i tretë në kërkim
Policia e Kosovës njofton se më 6 shtator ka pranuar informacion se tre të dyshuar në Prizren, nën kërcënimin e një mjeti të mprehtë (thikë) nga viktima kanë arritur që të marrin një telefon mobil dhe një shumë të parave të gatshme.
Lidhur me rastin janë arrestuar dy të dyshuar, njëri 23 e tjetri 22-vjeçar, pasi janë gjetur prova se kanë qenë të përfshirë.
Ndërsa, i dyshuari i tretë bëhet e ditur se është në kërkim policor.
“Njësiti i hetimeve të Stacionit Policor Prizren pas veprimeve operative hetimore në teren ka arritur që të identifikoj dhe arrestoj dy të dyshuar V.Sh. (viti i lindjes 2000, mashkull kosovar shqiptar) dhe B.Ç. (viti i lindjes 2001, mashkull kosovar shqiptar) për të cilët janë gjetur prova se kanë qenë të përfshirë në këtë rast. I dyshuari i tretë është në kërkim policor”, thuhet në njoftimin e policisë.
Të njëjtit janë intervistuar në bazë të procedurave ligjore dhe ndaj që të dy të dyshuarve prokurori i shtetit ka lëshuar masën e ndalimit për 48 orë.