ASK: Bie numri i përfituesve nga skema e ndihmës sociale
Agjencia e Statistikave të Kosovës njofton se në muajin shtator 2023, nga skema e ndihmës sociale kanë përfituar 20 mijë e 671 familje me gjithsej 81 mijë e 113 anëtarë, ku krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, që ishte 24 mijë e 169 familje me gjithsej 95 478 anëtarë, vërehet një rënie e numrit të familjeve përfituese nga kjo skemë për 3 498 ose 14,5%.
“Në muajin shtator 2023, krahasuar me muajin shtator 2022, kishte rënie të numrit të përfituesve nga: skema për pensionet invalidore (-18,0%); skema për pensionet e Trepçës (-18,1%); skema për pensionet familjare (-10,1%); skema e pensioneve kontribut-paguese të moshës (-0,8%); skema për familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës (-1,6%)”, thuhet në komunikatë.
Sipas ASK-së në muajin shtator 2023, krahasuar me muajin shtator 2022 kishte rritje të numrit të përfituesve nga: Skema e pensioneve bazike të moshës (5,8%); skema për mbështetje materiale familjeve që kanë fëmijë me aftësi të kufizuara (14,9%); skema e pensioneve për Forcën e Sigurisë së Kosovës(FSK) (10,9%); skema për pensionet e personave paraplegjik dhe tetraplegjik (12,2%); skema e pensioneve për personat me aftësi të kufizuara (6,2%); skema e kompensimit për punëtorët e arsimit që punuan gjatë vitit shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99 (5,4%); skema e kompensimeve për personat e verbër (0,6%); skema e pensioneve të Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) (3,0%); skema për veteranët e luftës (-0.2%)./KP