Kush po tenton të abuzojë me pensionistët, Ministria del me një njoftim
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka thënë se ditëve të fundit zyrat e pensioneve janë duke i frekuentuar disa pensionistë që cilët kanë kërkuar vërtetime apo vendime që dëshmojnë se të njëjtit janë përfitues të pensioneve.
MFPT ka njoftuar se kanë informacione që “persona të papërgjegjshëm janë duke kërkuar dokumentacion dhe autorizim nga pensionistët me premtimin se do t’u sigurojnë përfitimin e shumave të caktuara monetare”.
Ministria ka thënë se këto informata janë të pasakta dhe kanë tendencë mashtrimin.
“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve njofton të gjithë qytetarët dhe përfituesit e skemave pensionale që informatat e qarkulluara nuk janë të sakta dhe konsistojnë në informatë të rremë me tendencë të mashtrimit.”
MFPT ka ftuar qytetarët që të kenë kujdes.
“Andaj, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve fton qytetarët të kenë kujdes nga informatat e rreme që po qarkullojnë këto ditë që për theks kanë keqinformimin e përfituesve të skemave pensionale në Kosovë. Po ashtu, ftojmë përfituesit e skemave pensionale që të kenë kujdes lidhur me dokumentacionin dhe autorizimin e bërë tek palët e treta, meqë mund të cenohet privatësia e të dhënave të tyre.”
“Po ashtu, lidhur me skemat pensionale dhe përcaktimin e shumës së pensioneve, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, kërkon nga të gjithë përfituesit e skemave pensionale që të ndjekin vetëm njoftimet zyrtare të MFPT-së dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, ndërsa të kursehen nga njoftimet dhe shërbimet tjera jo zyrtare, të cilat mund të bëhen për interesa private të personave të caktuar. Ne do të sigurohemi që të shpërndajmë në kohë të gjitha informacionet e sakta lidhur me pensionet dhe çështjet me interes për pensionistët. Andaj, ju lutem që ti referoheni njoftimeve të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve si kanali i vetëm zyrtar në lidhje me këtë fushë.”