Regjistrimi i popullsisë, Kastrati: Kemi kaluar shifrën prej 1.5 milion
Dje në Kosovë ka përfunduar procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, edhe në komunat të cilat kishin kërkuar shtyrjen e afatit për një javë në mënyrë që të përmbyllin suksesshëm këtë proces.
Për procesin e regjistrimit ka folur drejtuesi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, i cili ka deklaruar numri i popullsisë ka kaluar shifrën 1.5 milion.
“Të dhënat në fund të muajit gusht të dhënat t’i publikojmë, por do ta bëjmë të pamundur t’i publikojmë në korrik. Statistikat 1.5 milion janë kaluar”, bëri të ditur Kastrati.
Ai bëri të ditur se regjistrimi edhe në këtë javë nuk ka qenë i ndarë në komuna por është bërë në të gjithë territorin e Kosovës.
Derisa, sa i përket pjesëmarrjes në regjistrim ai vlerëson se ishte e suksesshme.
“Në bazë të dhënave vlerësohet se përveç pjesës veriore që ka hezituar, pjesët e tjera vlerësohet të jetë një ndër regjistrimet më të suksesshme sa i përket gjithëpërfshirjes, Besojmë që do të jemi 99.8% në pjesëmarrje”, tha ai.
Ndër të tjerash, Kastrati theksoi se ata që nuk janë regjistruar do të përballen me sfida.
“Një person që nuk është në regjistra do të ketë sfida, ministritë e tjera do të kërkojnë informacion nëse ai ose ajo ka qenë pjesë e popullsisë rezidente”, ka deklaruar Kastrati në Klan Kosova.