Gjuajti me armë në nëntor të vitit të kaluar, Policia e identifikon prizrenasi – ia sekuestron armën

Posedimi i armëve ilegale dhe përdorimi i tyre është shndërruar në një dukuri shqetësuese, që po cenon sigurinë publike. Jo rrallëherë, incidente të tilla ndodhin edhe në kafeteri e lokale të ndryshme dhe jo çdo herë zbulohen nga Policia. Kështu ka ndodhur me një rast në Prizren, raporton Gazeta Sinjali.

Siç merr vesh Sinjali, Policia ka arritur të identifikojë një person që kishte gjuajtur me armë zjarri në një lokal në muajin nëntor të vitit të kaluar në Prizren.

Pasi i dyshuari është zbuluar, Policia ka arritur që ta arrestojë dhe shoqërojë në stacion policor, ku është intervistuar.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i njëjti e ka pranuar se ka shtënë me armë, të cilën ia ka sekuestruar tashmë Policia. Përveç revoles, të dyshuarit i janë gjetur edhe disa fishekë.

Me t’u përfunduar procedurat policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit ndaj tij në drejtim të dy veprave penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Armëmbajtje pa leje”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *