Përsëri dështon të nis rigjykimi për korrupsion ndaj deputetes së VV’së dhe të tjerëve në Prizren, kjo është arsyeja

Për shkak se i akuzuari Shqipron Krasniqi nuk kishte angazhuar mbrojtës tjetër ngase ai i caktuar sipas detyrës zyrtare, Hamdi Jashari, gjendet nën masën e paraburgimit, ka dështuar sërish të premten të nis rigjykimi në Gjykatën Themelore në Prizren, në rastin ku Krasniqi bashkë me deputeten Jetmire Vrenezi, ish-drejtorin e Inspektoratit, Islam Thaqi, Egzonë Morina-Thaqin, Arian Tarakun dhe Isë Bislimajn, po ngarkohen për “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Kymete Kicaj tha se sipas informatave zyrtare, mbrojtësi i angazhuar sipas detyrës zyrtare, Hamdi Jashari, gjendet nën masën e paraburgimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari Krasniqi tha se me anë të parashtresës, ka njoftuar gjykatën se nuk mund të angazhojë mbrojtës tjetër, mirëpo të njëjtën parashtresë gjykatësja Kicaj tha se deri në fillimin e seancës nuk e ka pranuar.

Pas kësaj, Kicaj tha se për të akuzuarin Krasniqi, gjykata do të angazhojë mbrojtës dhe për këtë do të njoftohet Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK).

Në mungesë të kushteve ligjore kjo seancë është shtyrë, kurse e radhës është caktuar të mbahet më 24 korrik 2023.

Gjykata Themelore në Prizren, më 17 maj 2022, kishte dënuar Vrenezin dhe Thaqin me nga 3 vite burg dhe dy mijë euro gjobë, ndërsa Morina- Thaçi, Taraku, Bislimaj dhe Krasniqi ishin liruar nga akuza për korrupsion.

Mirëpo, Gjykata Apelit, më 23 dhjetor 2022, çështjen e ka kthyer në rigjykim.

Prokuroria Themelore në Prizren, më 20 dhjetor 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Islam Thaqi, Jetmire Venezi, Egzonë Morina-Thaqi, Arian Taraku dhe Isë Bislimaj, të cilët po i ngarkon me veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktakuzë thuhet se më 19 dhe 21 korrik 2019 në Prizren, në objektin “Abi Çarshia”, të akuzuarit Islam Thaqi, në cilësinë e drejtorit të Inspektoratit, Jetmire Verezi dhe Egzona Morina Thaqi, inspektore të ndërtimit, Arianit Taraku dhe Isë Bislimaj, zyrtarë në Drejtorinë e Inspektoratit, Shqipëron Krasniqi, përfaqësues ligjor në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar, i tejkalojnë kompetencat e tyre me qëllim të shkaktimit të dëmit “Abi” SH.P.K në Prizren.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit realizojnë rrënimin e aneks-objektit të “Abi Çarshia”, duke e ditur se i dëmtuari ka dorëzuar aplikacionin për legalizim.

Prokuroria pretendon se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin për trajtimin e ndërtimeve pa leje, me Udhëzimin Administrativ nr.06/19, me Ligjin mbi procedurën e përgjithshme administrative, si dhe vendimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nr. A-213/18 dhe A-179/19, me të cilat ishin anuluar aktvendimet e Drejtorisë së Inspektoratit Komunal të Ndërtimtarisë në Prizren.

Sipas Prokurorisë, këto vendime obligojnë organet komunale në Prizren të veprojnë konform Ligjit për trajtimin e ndërtimeve pa leje, si dhe udhëzimeve administrative në fuqi, andaj sipas aktakuzës, të akuzuarit duke mos i përfillur këto vendime, veprojnë në kundërshtim me ligjet në fuqi.

Dëmi që pretendohet se i është shkaktuar “Abi Çarshia”, me rrënimin e anekesit në fjalë, është në vlerë prej 69,729.66 euro.

Me këto veprime, të gjithë të akuzuarit ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414 paragraf 2-1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *