IKD: 298 aktakuza ndaj zyrtarëve shtetëror, asnjë dënim me burgim
Drejtues të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), kanë deklaruar se përderisa politika i ka shpërblyer gjykatësit dhe prokurorët me paga dhe beneficione super të larta që shkojnë edhe deri në 40 mijë euro në vit, drejtësia këtë favor po ia kthen politikës duke promovuar kulturën e pandëshkueshmërisë.
IKD në një konferencë për media, ka prezantuar raportin “Politikë e “kriminalizuar”’, i cili raport është rezultat i monitorimit dhe hulumtimit sistematik të IKD-së.
IKD në këtë raport hulumtues ka pasqyruar nivelin e kriminalizimit të secilës parti politike që nga shpallja e pavarësisë së Republikës së Kosovës e deri më 31 maj 2020.
Drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj, ka thënë se raporti i publikuar dokumenton faktin se skena politike me sukses ka instaluar kulturën e pandëshkueshmëërisë, të cilën e promovon deri në atë masë sa qeverisja më njerëz të akuzuar për korrupsion dhe vepra penale serioze të konsiderohet si “standard” i qeverisjes, duke promovuar dhe bërë përpjekje për të ndërtuar perceptimin në publik se këto sjellje janë norma të pranueshme të sjelljes dhe përkojnë më normat morale dhe etike të shoqërisë.
Miftaraj gjatë konferencës për media të IKD-së shtoi se si rezultat i politizimit të sistemit të drejtësisë, po manifestohet në drejtim të amnistimit apo persekutimit të zyrtarëve të caktuar, përmes mos hetimit të zyrtarëve edhe kur ka dyshim të bazuar për vepra penale, ose ngritjes së aktakuzave me apo pa qëllim të dobëta, të paqëndrueshme, jo profesionale apo me një politikë ndëshkimorë të butë të gjykatave, kur bëhet fjalë për politikanë. Përderisa, politika i ka shpërblyer gjykatësit dhe prokurorët me paga dhe beneficione super të larta që shkojnë edhe deri në 40 mijë euro në vit, drejtësia këtë favor po ia kthen politikës duke promovuar kulturën e pandëshkueshmërisë.
Miftaraj, deklaroi se ky raport e shpërfaq realitetin e bashkëjetesës së politikës me drejtësinë, se ligji nuk zbatohet dhe nuk vlen njëjtë për të gjithë, se edhe në mesin e politikanëve ka të persekutuar në mënyrë sistematike nga sistemi i drejtësisë, se nga afërsisht 200 politikanëve të akuzuar vetëm tre të profilit të lartë për korrupsion që janë dënuar me dënime me kusht dhe me gjobë, por jo me burgim efektiv.
Në anën tjetër, hulumtuesi i lartë nga IKD, Leotrim Gashi, ka thënë se IKD në këtë periudhë raportuese ka gjetur se janë ngritur 298 aktakuza kundër 216 politikanëve, nga të cilat 210 raste aktakuzat janë ngritur gjatë kohës kur ata kanë qenë duke ushtruar pozita zyrtare.
Tutje, Gashi, tha se përderisa dorëheqja të paktën për arsye morale është një standard i qeverisjes së mirë, në Kosovën e pas shpalljes së pavarësisë kjo është vetëm përjashtim. Sipas tij, prej 298 aktakuzave, vetëm tetë politikanë kanë dhënë dorëheqje, derisa në tetë raste të tjera, politikanët janë larguar nga eprorët e tyre pas ngritjes së aktakuzave ndaj tyre.
Gashi, shtoi se në bazë të analizës së 298 aktakuzave, rezulton se në aspektin gjinor, politikanët burra janë përfshirë në numër më të madh të pjesëmarrjes në aktakuzat e prokurorisë. 267 prej tyre janë ngritur ndaj 193 politikanëve të gjinisë mashkullore, kurse nga 31 aktakuza të tjera akuzohen 23 politikane të gjinisë femërore, ndërsa sa i përket përkatësisë etnike të 216 politikanëve, sipas tij, 186 prej tyre janë të përkatësisë shqiptare, 22 u takojnë përkatësisë serbe, katër (4) janë boshnjakë, dy (2) nga komuniteti ashkali si dhe një (1) turk dhe një (1) goran.
Sipas hulumtuesit Gashi, nga 298 aktakuzat e ngritura, sipas gjetjeve të IKD-së, 189 të tilla janë ngritur ndaj zyrtarëve apo ish-zyrtarëve të nivelit lokal, ndërsa 109 të tjerë ndaj atyre të nivelit qendror, ndërsa ai shtoi se në këtë grup të politikanëve, janë 55 raste në të cilat janë akuzuar zyrtar shtetëror të profilit të lartë, asnjë prej të cilëve nuk është dënuar me burgim efektiv, sipas aktgjykimit të formës së prerë.
Gashi tha se në 298 aktakuzat ndaj politikanëve janë të përfshira 351 vepra penale, ku 204 vepra penale bëjnë pjesë në kapitullin e veprave korruptive.
Prej 298 aktakuzave, sipas Gashit, deri më 31 maj 2020 është arritur që për 204 prej tyre të ketë vendime gjyqësore, ku 174 nga të cilat janë vendime përfundimtare, ndërsa 31 të tjera kanë përfunduar vetëm në gjykatën e shkallës së parë, ndërsa 93 aktakuza janë duke u trajtuar në instancën e parë gjyqësore. Sipas tij, nga 174 rastet e përfunduara me aktgjykim të formës së prerë, aktakuzat kanë dështuar në 111 raste apo 63.79%, ndërsa me aktgjykime dënuese kanë përfunduar vetëm 60 raste apo 34.48%, prej të cilave janë shqiptuar vetëm nëntë dënime me burgim efektiv.
Sa i përket përkatësisë politike të politikanëve, Gashi tha se nga 298 aktakuzat e ngritura, pjesën më të madhe të tyre e përbëjnë përfaqësuesit e PDK-së. 67 anëtarë të kësaj partie janë të ngarkuar me 89 aktakuza, pasuar nga LDK me 37 persona me 48 aktakuza, 22 përfaqësues të AAK me 32 aktakuza, 19 zyrtarë të LVV me 26 aktakuza, 10 anëtarë të PSD me 17 aktakuza, 19 anëtarë të Nismës Socialdemokrate me 26 aktakuza dhe tre zyrtarë të AKR-së me tri aktakuza. Përpos tyre janë analizuar edhe partitë tjera me të vogla shqiptare dhe partitë e minoriteteve, të cilat kanë pasur një numër të përgjithshëm prej 32 politikanëve që kanë 47 aktakuza, ndërsa janë shtatë persona të partive të paidentifikuara nga IKD që përbëjnë 10 aktakuza.
Ndërsa hulumtuesja e IKD-së, Valentina Shahini-Grajçevci, tha se me qëllim të dekriminalizimit të politikës kosovare, ngritjes së nivelit të qeverisjes së mirë dhe besimit të qytetarëve në institucionet publike, IKD rekomandon që të gjitha institucionet publike ti qasen me seriozitet dekriminalizimit të politikës, në atë mënyrë që personat, të cilët kanë probleme me ligjin, mos të jenë pjesë e listave zgjedhore apo institucioneve publike.
Shahini-Grajçevci, tha se IKD rekomandon që zyrtarët publik të japin dorëheqje në rastet kur të njëjtit kanë probleme me ligjin, e nëse nuk ndodh kjo, të njëjtit të lirohen nga detyra nga ana e eprorëve të tyre.
Për më tepër gjeni të bashkangjitur raportin e plotë si dhe fotot nga konferenca për media e IKD-së.