Dragashi vazhdon shërbimet falas për banorët e fshatrave kufitare të Shqipërisë

Roli i Komunës së Dragashit përkatësisht QKMF-së në ofrimin e shërbimeve shëndetësore falas për banorët e fshatrave kufitare të Shqipërisë është vlerësuar si i rëndësishëm në takimin që drejtuesit e kësaj komune kanë zhvilluar me përfaqësuesit e komunitetit nga Shqipëria.

Sipas njoftimit të Komunës së Dragashit, kryetari, Bexhet Xheladini dhe kryesuesja e Kuvendit, Arijeta Skeraj, kanë pritur në takim drejtorin e Qendrës Mjekësore në Zapod, Elton Palushi, kryetarin e fshatit Orgjost, Avni Ferati, dhe përfaqësuesin nga fshati Pakishtë, Vullnet Vllaçaj.

“Me këtë rast, Drejtori i Qendrës Mjekësore në Zapod, Elton Palushi, ka shprehur mirënjohjen dhe falënderimin e tij për mbështetjen e Komunës së Dragashit ndaj banorëve të fshatrave fqinj të Shqipërisë, me theks të veçantë trajtimin e barabartë dhe ofrimin e shërbimeve shëndetësore pa pagesë për këta banorë nga QKMF në Dragash”, thuhet në njoftim.

Përveç çështjeve të shëndetësisë primare, në takim është diskutuar edhe nevoja për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në këtë zonë kufitare.

“Kryetari i fshatit Orgjost, Avni Ferati, kërkoi thellimin e bashkëpunimit me Komunën e Dragashit lidhur me përmirësimin e infrastrukturës rrugore që lidhin fshatrat kufitarë të Shqipërisë me Komunën e Dragashit, me qëllim të lehtësimit të qarkullimit të njerëzve dhe mallrave”, thuhet në njoftimin e Komunës së Dragashit, raporton Telegrafi.

Kryetari Xheladini ka shprehur gatishmërinë për të ofruar mbështetjen e Komunës së Dragashit, duke theksuar se ai “përkrah çdo iniciativë që ka për qëllim mirëqenien e banorëve të fshatrave nga të dyja anët e kufirit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *