Shtiu me armë në lokal, arrestohet një person në fshatin Korishë
Policia e Kosovës ka njoftuar se në Korishë të Prizrenit ka arrestuar një person për shkak të dyshimit se ka shtënë me armë zjarri në një lokal.
“Më datë 18.05.2025, rreth orës 00:20, në fshatin Korishë, përderisa patrulla policore e Stacionit Policor Prizren-Veri ka qenë duke zhvilluar pikë kontrolli, në afërsi janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri. Zyrtarët policorë kanë reaguar menjëherë duke lokalizuar lokacionin, i cili ishte një lokal kafe-bar. Patrulla policore ka siguruar vendngjarjen dhe, me urdhër të prokurorit, është bastisur lokali”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Në vendngjarje, gjatë bastisjes, sipas njoftimit, është gjetur një pistoletë si dhe gjashtë gëzhoja, kurse provat janë marrë nga njësia e krim-teknikës dhe hetuesi kujdestar.
“I dyshuari që ka shtënë me armë është arrestuar dhe, pas intervistimit, me vendim të prokurorit është ndaluar për 48 orë”, thuhet në njoftim.
Në këtë rast, sipas Policisë, është sekuestruar arma dhe kanë filluar hetimet për veprat penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim i paautorizuar i armës”.