Vazhdon rinumërimi i mbi 400 vendvotimeve
Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve pasditen e djeshme filloi procesi i rinumërimit të 494 vendvotimeve, për të cilat mori vendim Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Këto vendvotime u takojnë komunave të ndryshme.
Arsyet e rinumërimit të këtyre vendvotimeve u kategorizuan në katër grupe kryesore.
E para është se gjatë procesimit të formularëve të rezultateve të subjekteve politike dhe kandidatëve 35 vendvotime nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta për shkak se gjatë auditimit është vërejtur se nuk janë bartur saktë votat e subjekteve politike në formularin e rezultateve.
E dyta arsye është përmendur se gjatë procesimit të formularëve të rezultateve të kandidatëve 6 vendvotime nuk kanë mundur të procesohen si të rregullta për shkak të problemeve teknike. Këta formularë janë plotësuar në mënyrë të paqartë dhe nuk mund të lexohen me saktësi.
Arsye e tretë thuhet se në formularët e rezultateve të kandidatëve, në 370 vendvotime, është vërejtur se kandidati ka më shumë vota se subjekti politik dhe në raste të caktuara të gjithë kandidatët kanë më shumë vota se subjekti politik.
Ndërsa arsye e katërt u tha se në 83 vendvotime të tjera, gjatë krahasimit të votave të subjekteve politike me votat e kandidatëve, rezulton se te të gjitha këto raste subjekti nuk ka vota, ndërsa kandidati apo kandidatët kanë vota dhe anasjelltas.
Në përgjithësi, numri i vendvotimeve të rinumëruara deri më tani me vendim të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, përfshirë dhe 12 vendvotimet e rinumëruara javën e kaluar, është 506 vendvotime.