Në ditën e Bajramit u dëgjuan të shtëna në Prizren, plumbat dëmtuan xhamin e një shtëpie dhe një veture

Gjuajtjet me armë zjarri janë bërë të shpeshta në vendin tonë, duke cenuar kështu sigurinë e qytetarëve të cilët ka rast kur mund t’u rrezikohet jeta si pasojë e plumbave qorr.

Vetëm gjatë ditës së djeshme, kur ishte edhe festa e Kurbanit të Bajramit, në qytetin e Prizrenit kanë ndodhur dy raste ku janë dëgjuar të shtëna armësh. Si pasojë e kësaj, ka pasur dëme materiale në një shtëpi dhe në një veturë.

Rasti i parë ka ndodhur në orët e paradites, kur një plumb qorr ka goditur xhamin e një shtëpie. Brenda saj ndodhej një grua e cila derisa po qëndronte në shtëpi, është tmerruar kur ka dëgjuar krismën që e shkaktoi thyerja e xhamit. Pasi ajo ka gjetur një plumb në tokë në oborrin e saj, ka njoftuar menjëherë Policinë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore të cilët kanë gjetur dhe konfiskuar gëzhojën e cila dyshohet të jetë e armës që u përdor në rast, ndërsa momentalisht nuk ka persona të dyshuar.

E disa orë më vonë, sërish u dëgjuan të shtëna, që kësaj here dëmtuan xhamin e një veture që ndodhej e parkuar në rrugën ‘Zenun Çoçaj’. Pronari i veturës ka denoncuar rastin në Polici dhe tashmë kanë nisur hetimet lidhur me rastin.

Në të dyjat raste veç e veç, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që rastet të cilësohen ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’./GazetaSinjali/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *