Libri poetik “I FLAS VENDIT TIM” nga Murat Gashi
Shkruan: Bekri Murselaj
Ky libër poetik i poetit Murat Gashi, i botuar së fundi nga poeti, vjen si një dashuri e përjetëshme për vendlindjen. Në këtë libër poetik gërshetohet poetika e poetit Gashit, ku shprehet fuqishëm tema atdhetare dhe tema e dashurisë për vendlindjen, familjen dhe të gjithë banorët e vendlindjes. “I flas vendit tim” është titull që simbolizon dashurinë për vendlindjen dhe në të njëjtën kohë, lexuesin e tërheq për lexim! Në këtë libër poetik nuk mungojnë figurat letrare që shënojnë momente poetike, duke përshkruar emocionin poetik në bazë të temës për të cilën flet poeti.
Libri fillon me poezinë “Baladë” që do ta udhëheq lexuesin drejt leximit mëtutje me kureshtjen dhe emocionin për ta ndjerë më shumë poezinë në vazhdim.
Ishte kurrizi gjerë e gjatë, me borë shkëlqimi.
Plot me ujëvara, lisa t’shëndoshë me sy kah qielli…
Dëgjoj melodinë që shpirtin ma shëron.
Poezia “Baladë”
Me këtë poezi fillon libri poetik, që është një thirrje për kthim në kujtime të hershme, por që jep shenjën e vendlidjes si një vend që asnjëherë nuk harrohet. Pra, në këto vargje shfaqet mesazhi poetik nga i cili vjen edhe titulli i librit. Pra, titulli “I flas vendit tim” dhe temat të tjera që bëjnë pjesë këtu janë një dedikim poetik nga poeti. Që në poezinë e parë poeti, sikur bënë një thirrje për të mos harruar vendlindjen që është shumë karakteristike në poezinë e tij, sepse gjithmonë vendlindjen e ndjen si një vend i veçantë ku e gjen qetësinë njeriu.
Për poetin në këtë libër poetik, tema e vendlindjes është shumë e çmuar, sepse gjithmonë kur shkruan për të, shkruan me tone dhe ndjenja të mallit, por duke përshkruar gjithmonë, me figurat më të bukura letrare.
Shumë poezi për Prizrenin dhe vendlindjen simbolizojnë dashurinë, dhimbjen dhe krenarinë për to. Por në librin poetik “I flas vendit tim” nuk mungon as tema atdhetare, që njëherësh shprehet me një krenari të jashtëzakonshme për të kaluarën e vendit tij.
U ula në këndin e Urës së Gurit.
Derdhi ndjenjën gurëve në shtratin e lumit
Rritur lashtësisë…
Kujtimet e kaluarës s’harrohen as sot!
Lënë gjurmë gurgullimës së ujit…
Poezia “Kujtimet”
Kjo poezi përpos që shpreh dashurinë për vendlindjen, edhe vendlindjen e sheh si një vend të shenjtë, që dashurinë që ia fal vendlindja nuk mund ta gjen askund.
Ndërsa tema atdhetare është mjaft e fuqishme, që përjetohet si një krenari dhe dhimbje për të kaluarën e vendit, por në këtë temë nuk mungojnë as figurat e njohura heroike si Xhevat Berisha, dhe heronj të tjerë që kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë e vendit. Figurat heroike që shfaqen në këtë libër poetik, janë figura që shfaqin krenarinë kombëtare si në poezinë heroike: “Jeshkovë legjendë e gjallë”, që shfaqet jo vetëm trimëria e djemëve të Vërrinit, por dhe krenaria kombëtare.
Dy herë të dogjën të shkrumbuan, rrënuan.
Jeshkovë si bima ndër rreze u rilinde…
Legjendë e gjallë, përjetë të ndritë krenaria.
Me bijtë si Skënderbeu, trima!
Poezia “Jeshkovë legjendë e gjallë”
Përmes këtyre vargjeve, shfaqet dashuria dhe krenaria për vendit, por në të njëjtën kohë përshkruhet gjithë tema kombëtare, përmes figurave heroike që përkujtohet kontributi i të tërë gjeneratave për lirinë e vendit.
Në këtë libër nuk mungojnë as poezitë përkushtuese mbi figurat publike si Nexhmije Pagarushës dhe të tjerëve në vazhdim, ku secila poezi përkushtuese është poezi që lartëson figurat e njohura publike por dhe figurat e ndryshme si kombëtare ashtu dhe familjare.
Pra, poetika e poetit Murat Gashit, në librin poetik “I flas vendit tim” është poetikë e larmishme që shpesh dashurinë dhe mirënjohjen për të gjithë duke u nisur nga njerëzit e vendlindjes, heronjtë e kombit, figurat e ndryshme publike, që pa dyshim kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për shoqërinë.