Policia në Prizren arreston grabitësit e mitur që e kërcënuan me thikë një fëmijë dhe ia morën telefonin
Më 17 shkurt një fëmijë kishte rënë pre e vjedhjes nga dy persona të dyshuar, ku nën kërcënimin dhe kanosjen me thikë se do ta lëndonin, viktima ishte detyruar t’i jepte të dyshuarve një telefon “Samsung A5”.
Rasti kishte ndodhur në afërsi të një qendre sportive në Prizren dhe të dyshuarit pasi ia kishin marrë viktimës telefonin, janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Policia kishte pranuar një deklaratë nga viktima e mitur në prezencë të prindit të tij, dhe duke marrë informacion përmes rrugëve operative, në bazë të deklaratës dhe mënyrës së veprimit kriminal në këtë rast, ka ndërtuar profilin dhe ka filluar me profilizimin e personave të dyshuar në atë zonë.
Hetuesit policorë kanë arritur që me datë 1 prill 2021, t’i identifikojnë dy persona të dyshuar të cilët e kishin kryer këtë veprim kriminal. Për këtë rast Policia i ndaloi dhe intervistoi në prezencë të prindërve, pasi të dyshuarit janë gjithashtu të mitur. Të njëjtit e kishin pranuar veprën në tërësi.
Ndaj të dyshuarëve H.B i lindur në vitin 2003 dhe M.K i lindur në vitin 2003, hetuesit policorë pas marrjes së deklaratës, ngritën kallëzim penal për “Grabitje”.
Për ngjarjen dhe rastin u informua edhe prokurori i shtetit për të mitur i cili rekomandoi që rasti të procedohet në mënyrë të rregullt.