Nënshkruhet memorandum për organizimin e Autostradës Biennale në Prizren
Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren Samir Hoxha, ka pritur në takim përfaqësuesit e festivalit ndërkombëtar Autostrada Biennale, me të cilët ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi, për organizimin dhe mirëvajtjen e kësaj ngjarje kulturore në Prizren.
Nënshkrimi i memorandumit ka për qëllim mbështetjen e festivalit nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, për të realizuar zhvillimin e aktiviteteve që ndërlidhen me mbrojtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore përmes artit bashkëkohor.
Drejtori i QRTK-së në Prizren Samir Hoxha, u shpreh i lumtur me nënshkrimin e këtij memorandumi duke thënë se “aktivitetet e përbashkëta të Autostradës Biennale dhe Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore – Prizren do të ndikojnë në ngritjen e vetëdijes për rëndësinë dhe rolin e trashëgimisë kulturore në vendin tonë”.
Po ashtu, drejtori Hoxha sqaroi se pikat e bashkëpunimit si pjesë përbërëse e këtij Memorandumi do të zhvillohen në kuadër të zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Trashëgimi Kulturore. Ai ka theksuar se promovimi i trashëgimisë kulturore, duke ri-funksionalizuar ndërtesat si hapësira për art bashkëkohor, ngritja e vetëdijes për mbrojtjen dhe promovimin trashëgimisë kulturore si dhe ofrimi i aktivitete të shumta, ku shtjellohen edhe tema sociale si barazia gjinore, të drejtat e njeriut dhe mesazhet të përcjella në gjuhën e artit bashkëkohor, do të nxisin promovimin e zhvillimit e turizmit kulturor dhe do rrisin ndikimin ekonomik për qytetin e Prizrenit.
Ndërkaq, drejtori ekzekutiv i festivalit ndërkombëtar Autostrada Biennale, Leutrim Fishekqiu, falënderoi drejtorin e Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren për gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar në realizimin e këtij festivali me rëndësi të madhe në fushën e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore.
Ai tha se edicioni i tretë i festivalit do të zhvillohet në përputhje me rrethanat aktuale, dhe do të paraqitet në formë analoge dhe digjitale të infrastrukturës së butë, me art, performanca, pjesë bisedash, lexime, skulptura dhe forma të tjera të artit dhe jetës në verën e 2021.
Bienalja Ndërkombëtare e artit bashkëkohor “Autostrada Biennale”, do të mbahet në Prizren, gjatë periudhës 17 Korrik – 11 Shtator 2021. Kjo ngjarje kulturore, filloi për herë të parë nënë vitin 2014, themeluar nga një ndjenjë e mungesës dhe nevojës për më shumë shkëmbim kulturor në rajon, si dhe për hapje ndaj botës.