MSH-ja me një njoftim të rëndësishëm për qytetarët që do vaksinohen
Ministria e Shëndetësisë ka kërkuar nga kategoritë e qytetarëve që janë me radhë për vaksinim që të kenë një dokument mbështetës në mënyrë që ta marrë vaksinën.
Nëpërmjet një komunikate për medie, MSH’ja ka kërkuar nga kategoria e personave mbi moshën 65 vjeçare, personat me sëmundje kronike, si dhe kategoritë e tjera që të pajisen me dokumente përkatëse që dëshmojnë se i përkasin grupit respektiv.
“Planin Shtetëror të Vaksinimit kundër COVID-19 (faza II) , vaksinimi po vazhdon me kategorinë e personave të moshës mbi 65 vjeçare, personat më sëmundje kronike, profesionistët shëndetësor dhe kategoritë e tjera të parapara në fazën e dytë të vaksnimit, përfshirë forcat e sigurisë, të ndërlidhura me menaxhimin e COVID-19 si dhe mësimdhënësit”, thuhet në njoftim.
“Ministria tërheq vëmendjen se cilado kategori e qytetareve që merr thirrjen për vaksinim, me rastin e paraqitjes në qendrën e vaksinimit në komunën e tij, të ketë me vete dëshmi për kategorinë të cilës i përket”, shtohet tutje.
Njoftimi i plotë:
Në Kosovë ka nga kjo javë ka filluar vaksinimi i qytetarëve në masë më vaksinën kundër COVID-19.
Bazuar në Planin e Veprimit për vaksinimin e qytetareve në masë me vaksinën kundër COVID-19 dhe në Planin Shtetëror të Vaksinimit kundër COVID-19 (faza II) , vaksinimi po vazhdon me kategorinë e personave të moshës mbi 65 vjeçare, personat më sëmundje kronike, profesionistët shëndetësor dhe kategoritë e tjera të parapara në fazën e dytë të vaksnimit, përfshirë forcat e sigurisë, të ndërlidhura me menaxhimin e COVID-19 si dhe mësimdhënësit.
Me qëllim të mbarëvajtjes së procesit, Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje sërish qytetareve që në qendrat e vaksinimit të paraqiten vetëm pasi të kenë marrë thirrjen apo njoftimin për vaksinim, sipas termineve të përcaktuara përmes platformës eKosova. (https://ekosova.rks-gov.net/)
Ministria tërheq vëmendjen se cilado kategori e qytetareve që merr thirrjen për vaksinim, me rastin e paraqitjes në qendrën e vaksinimit në komunën e tij, të ketë me vete dëshmi për kategorinë të cilës i përket:
Personat mbi moshën 65 vjeçare, duhet ta dëshmojnë këtë përmes letërnjoftimit osë ndonjë dokumenti valid;
Të sëmurët kronikë – përmes dëshmive shëndetësore;
Forcat e sigurisë – përmes kartës që i identifikon se i përkasin shërbimit përkatës (Policisë së Kosovës apo Forcës së Sigurisë së Kosovës);
Personeli shëndetësor dhe mësimdhënësit-përmes kartës (ID) të punës ose dokumenti tjetër që konfirmon se punojnë në këta dy sektorë.