Policia fillon me projekte këshilluese për më shumë siguri në komunikacion, si dhe kundër përdorimit të armëve në ahengje
Policia mëngjesin e së enjtes, ka filluar me aktivitete vetëdijesuese për siguri më të madhe nëpër rrugët e Prizrenit dhe parandalimin e dukurive negative, ndërsa ka apeluar që qytetarët në ahengjet e ndryshme të festojnë me zemër e jo me armë, në kuadër të projekteve në komunitet dhe parandalim.
Zëdhënësi i DRP në Prizren, Shaban Osmanollaj, ka njoftuar se policia është duke realizuar projekte të ndryshme për më shumë siguri në komunikacion, ndërsa së fundi me fillimin e sezonit të dasmave dhe ahengjeve të tjera, i bëhet thirrje qytetarëve që të festojnë sipas traditave familjare dhe t’i shmangen përdorimit të armëve , pasi një gjë e tillë mund të shkaktojë edhe vrasje të njerëzve, tha ai.
Zëdhënësi Osmanollaj, tha më tej se në kuadër të aktiviteteve të shtuara të policisë, përmes shpërndarjes së fletëpalosjeve po apelojmë që qytetarët mos të ndezin dhe zjarre dhe të kenë kujdes për automjetet e tyre në parkingje që të evitohen vjedhje të ndryshme, sikurse kanë ndodhur në të kaluarën.
Këto këshilla, vijoi ai, kanë të bëjnë me çështjen e sigurisë dhe parandalimit të dukurive negative. Në kuadër të këtyre projekteve të policisë, jepen një mori këshillash për siguri të qytetarëve.
Ndryshe, njoftohen qytetarët që të raportojnë për çdo parregullsi në numrat 192 dhe 92 ose përmes aplikacionit dixhital ” Lajmëro policinë”./Tv Prizreni