SHKRIMTARI QË HAPËRON ME KOHËN

Parathënie për romanin “Etja për jetë” të autorit Murat V. Gashi

Shkruan: Ma Sc. Fatmir HALIMI

Shkrimtari Murat V. Gashi, me romanin “Etja për jetë” hatëroi nëpër kohë, me qëllim që të mbahet në mend kjo kohë e pandemisë, kjo jetë e vështirë, që e përjetoi populli ynë. Ky vit që lamë pas, pra viti 2020 do të mbahet në mend për shumë arsye, sepse kjo pandemi do të mbetet në kujtesën e njerëzimit, nga e cila edhe do të nxjerrim mësim nga “pësimet”, që të jemi më të përgatitur në të ardhmen për ndonjë virus tjetër që mund të ndodh.

Në këtë kohë, shkrimtari Murat V. Gashi e përjetoi pandeminë njësoi si çdo qytetar tjetër. Prandaj autori i shtyrë nga rrethanat që u krijuan për qytetarët e Kosovës, pas përhapjes së koronavirusit, ku u përballëm me një mori problemesh, jo vetëm me kushtet e vështira ekonomike, por edhe me infektime e vdekje të shumta, e ndjeu se edhe ai duhet të bënte diçka. Pas kësaj kohe njëvjeçare të pandemisë, Gashi të gjitha këto reaksione i shprehë përmes letërsisë, konkretisht përmes romanit “Etja për jetë”, i cili e paraqet mjaft bukur gjendjen shpirtërore, emocionale, por edhe rendin shoqëror.

Duke evokuar kohën ende të pa perënduar, jo vetëm të Covidit-19, por edhe të gjendjes politike, siç e quan ai, koha e virusit politik, Gashi rrëfimin e shkrimit të tij na e mbush me plot dhembje, trishtim e makthe nga më të ndryshmet, të cilat i paraqet përmes personazheve si: Agroni, Guri, Roni, Maki e të shumë të tjerëve

Shkrimtari Gashi duke paraqitur idenë e afirmimit të shpresës mbi aktualitetin e kohës dhe duke mbajtur qëndrimin pozitiv të zgjidhjeve të situatave, ai në letërsi sjell frymën pozitiviste.

Gashi te romani ” Etja për jetë ” tregoi talentin e vet artistik, njëkohësisht edhe novativ. Në këtë vepër përveç ngjarjeve të përditshmërisë të mbushura me plot dhimbje dhe makthe, autori sjell edhe përshkrime entuziaste të jetës gjatë kohës së pandemisë. Libri është i mbushur edhe me plot meditacione mbi çështjet etike, filozofike e psikologjike, si frika nga shkatërrimi i ekonomisë, frika nga izolimi total dhe largimit të punëtorëve nga ndërmarrjet private.

Shkrimtari Gashi përmes romanit “Etja për jetë ” shfaq njëfarë ironie jo vetëm ndaj qeverisjes së shtetit, por edhe ndaj vetvetes, që si qenie njerëzore nuk mundi të bëj më shumë për popullatën në përgjithësi, që jeta e tyre të bëhej më e lehtë gjatë kohës së pandemisë, e cila po vazhdon edhe sot, por vetëm ta tregoi realitetin, e që fajtor kryesor për të gjitha këto është virusi Covid-19.

Shkrimtari Gashi tërë rrëfimin e tij për jetën tonë në kohë pandemie e lidhë me dy raste të veçanta, ku rasti i parë përfundon tragjikisht, kurse rasti i dytë arrin t’i shpëtoi karantinës. Rasti i parë ka të bëj me tragjedinë që ndodhi në konviktin numër shtatë, kur një i ri, Roni, pas largimit nga karantina e Gjermanisë, u kthye i sëmurë në Kosovë, jo nga kovidi, por nga sëmundja e mëlçisë. Ai menjëherë sipas ligjeve në fuqi u dërgua në Qendrën e Studentëve, në Karantinë. Për pasojë e karantinimit, Roni nuk mund ta përballojë padrejtësinë që i bëhet aty, sepse ai dhe babai i tij Maki, mendonin që duhet të lirohet urgjentisht dhe të shtrihej në spital për shërim, e jo të izolohet. Kjo padrejtësi ndikoi që ai të hidhet nga kati i pestë i konvikteve dhe të vdes tragjikisht.

Kurse rasti i dytë ka të bëj me një tjetër qytetar, Agronin, i cili pasi u kthye nga Stambolli i Turqisë e futin edhe atë  në karantinë. Ky ishte më i shkathtë, sepse pasi që i bëri disa telefonata, lirohet në mes të natës nga karantina, pra nga konviktet e studentëve. Këtu autori i qet në pah padrejtësitë që bën shteti edhe me të izoluarit e karantinës.

Por Gashi nuk kufizohet vetëm në këto dy ngjarjeje. Ai më tej shtroi edhe çështjen e familjeve tjera që nuk iu përmbajtën masave mbrojtëse nga kovidi-19. Është rasti i  një familje në një qytet të Kosovës, kur u infektua nëna dhe ajo vdes. Në këtë reaksion vajza dhe djali i saj përpara policëve këmbëngulin që ta hapin sarkofagun. Policia nuk i lejon, por që në fund e hapin sarkofagun. Reaksioni i infektimit iu revanshua dhe që të dytë i infektoi. Vajza shpëton (shërohet) nga sëmundja, ndërsa djali 44 vjeçar vdes. Autori me këtë rast thotë: ai që nuk e respekton ligjin, ai edhe e pëson…

Krejt në fund, autori përmes romanit “Etja për jetë” na jep detaje të shumta për jetën nëpër të cilën qytetarët kaluan një vit të vështirë pandemie. Ky roman për lexuesit do të mbetët gjatë në kujtesën e tyre, sepse shkrimtari hatëroi me kohën që e lamë pas, ndërsa për letërsinë shqipe do të mbetet një perlë, që do të lexohet e rilexohet prapë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *