Prokuroria nis hetimet ndaj dy zyrtarëve të lartë të Komunës së Prizrenit

Pas hulumtimit të KALLXO.com, Prokuroria e Prizrenit ka nisur hetimet lidhur me një kontratë të nënshkruar nga ana e Komunës së Prizrenit për blerjen e disa ulëseve të parkut dhe shtyllave të ndriçimit me çmim më të lartë.

Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e prokurorisë, Fitore Mehmeti- Sejrani.

“Veprimet hetimore lidhur me këtë rast, Prokuroria e Prizrenit zyrtarisht i ka filluar me 14 janar 2021, ndërsa hetimet kanë filluar qysh në qershor të vitit 2020”, shtoi ajo.

Duke mos dhënë detaje të tjera për rastin në fjalë, prokuroria ka shtuar se për rrjedhën e mëtutjeshme do të njoftojnë me kohë.

Siç mëson KALLXO.com, dy zyrtarët e lartë janë duke u hetuar lidhur me veprën penale keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar dhe tashmë hetimet janë në fazën përfundimtare.

Më 12 qershor 2020, hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë” shpërfaqi detaje të zbatimit të kontratës dhe tejkalimin e blerjeve të produkteve me çmim më të lartë, ndërsa produktet që kishin çmimet më të lira janë blerë më pak, për të mos thënë fare.

Në emisionin e “Drejtësia në Kosovë” ishte transmetuar hulumtimi mbi dyshimet për keqpërdorim të buxhetit në Komunën e Prizrenit.

Një kontratë e Komunës së Prizrenit me çmim 289 mijë e 124 euro ka qenë pjesë e analizës së përmbajtjes dhe implementimit të saj në terren nga ana e ekipit të “Drejtësia në Kosovë”.

Komuna e Prizrenit që nga viti 2018 ka planifikuar që të rregulloj mini-parqe në qytet dhe të vendos ulëse çeliku, kosha për mbeturina e ndriçim publik.

Në një tender mbi 280 mijë euro me shumë detaje dhe shumë produkte, karakteristikë kanë qenë dallimet në çmimet e produkteve të cilat në dukje janë të njëjta.

Kjo kontratë sipas datave do të përfundoj në dhjetor të vitit të ardhshëm, ndërsa deri më tash janë implementuar katër faza, dhe faza e pestë ende nuk është zbatuar për shkak të pandemisë COVID-19.Hulumtimi i sotëm solli detaje të zbatimit të kontratës dhe tejkalim të blerjeve të produkteve me çmim më të lartë ndërsa produktet që kishin çmimet e lira janë blerë pak, për të mos thënë fare.

Ekipi i “Drejtësia në Kosovë” kishte kërkuar të gjitha faturat dhe porositë e Komunës së Prizrenit për produktet e blera dhe të vendosura në lokacionet e caktuara si mini-parqe.

Në kontratë thuhet se një ulëse parku kushton 995 euro, ndërsa Komuna planifikon t`i blejë 60 copë apo në total do të shpenzon 59 mijë e 700 euro për këtë produkt, që është edhe produkti më i shtrenjtë i kësaj kontrate.

Ulëse nga çeliku i galvanizuar, dhe i ngjyrosur me ngjyrë elektrostatike e pjekur në furrë, skeleti mbështillet me 15 profile, janë disa nga specifikat të këtij produkti.

Mirëpo një produkt të ngjashëm për nga pamja dhe për nga karakteristikat dhe specifikimet e produktit, është paguar shumë herë më lirë nga Komuna e Prizrenit.

Ulëse parku model i njëjtë me atë si më lartë në specifikimet e dosjes së tenderi kjo ulëse është përbërë nga skeleti me formë anatomike i mbështjella me 25 profile nga tubi i rrumbullakët prej çeliku me lyerje elektrostatike dhe e pjekur në furrë pa dorezë sipas komunës do të kushtonte 11 euro ndërsa ishin kontraktuar për të blerë 70 të tilla.

Në emisionin e sotëm zbuluam se Komuna e Prizrenit në bazë të faturave që i ka prezantuar ekipit të DNK-së ka tejkaluar blerjen e ulëse të cilat kanë kushtuar 995 euro.

Sipas kontratës Komuna e Prizrenit kishte paraparë të blinte 60 copë ulëse të 995 eurove, ndërsa sipas faturave ka blerë 18 më shumë ulëse të njëjta. Pra për 18 ulëse më shumë se sa ishin paraparë në kontratë Komuna e Prizrenit ka paguar 17 mijë e 910 euro më shumë.

Në anën tjetër ishin paraparë që të bliheshin 70 ulëse të 11 eurove, ndërsa komuna sipas faturave ka blerë vetëm 20 të tilla.

Porosi me çmim më të lartë e me numër më të madh blerjesh janë parë edhe te ulëset e drurit.

Edhe ulëset e drurit kanë çmime të ndryshme, ndërsa dallimet e produkteve janë shumë të vogla.

Ulëse nga druri sipas specifikimeve është produkt i përbërë nga druri bungut, dhe ka bazë të aluminit, me vida inoxi dhe me lyerje elektrostatike e pjekur në furrë.

Një ulëse me doreza sipas kontratës ka kushtuar 4 euro e 50 cent, ndërsa pa doreza 450 euro.

Hulumtimi zbardhi se edhe në këtë rast Komuna e Prizrenit kishte tejkaluar blerjen e ulëseve të drurit me çmim më të lartë. Në këtë rast ishin paraparë të blihen 50 ulëse druri me çmim 450 euro, e në fund i kanë blerë 65 të tilla me çmim të njëjtë.

Pra edhe në këtë rast Komuna e Prizrenit ka tejkaluar sasinë e blerjeve të cilat kanë qenë në kontratë, ndërsa për ulëse të çmimit 11 euro i kanë blerë vetëm 20 të tilla.

Në lidhje me çmimet e larta dhe dallimet në këto çmime për produktet të cilat 90 janë të njëjta Drejtësia në Kosovë kishte kërkuar sqarime edhe nga drejtori i Shërbimeve Publike, Levent Kasemi.

“Ju lusim që për të gjitha detajet në lidhje me produktet dhe çmimet e tyre të kontaktoni me Operatorin Ekonomik fitues për shkak se ne si Komunë nuk kemi informata dhe obligim për të marr informata mbi çështjet afariste të Operatorëve”, ishte përgjigja e tij për këtë çështje.

Kompania “NABS” në disa sqarime të kërkuara nga Drejtësia në Kosovë kishte thënë se çmimet janë përcaktuar nga tregu.

“Në bazë të relacioneve tona kontraktuese me furnitorët, në shumë raste produktet të cilat janë të prodhuara në sasi të mëdha na ofrohen me zbritje, qoftë për shkak të tepricës së prodhimit ose rabateve tjera që i pranojmë ne në kuadër të afarizmit tonë. Normalisht, edhe ne në kuadër të politikave të kompanisë tonë, në disa raste fitojmë më shumë në produkte, në disa raste veprojmë me çmime më të ulëta dhe marzhe minimale për të qenë konkurrues në treg. Në çdo rast, klientët tanë, qofshin autoritete kontraktuese ose klient të rregullt afarist, produktet i kanë në dispozicion për blerje sipas çmimeve të vendosura nga kompania jonë dhe politikave tona afariste”, thuhet në përgjigjet e Kompanisë “NABS”.

Gjithashtu të njëjtit të pyetur në lidhje me dorezat e ulëseve të cilat janë i vetmi dallim në pamje te ato me çmim 995 euro, kanë thënë se nuk e di çmimin real të tyre.

“Ne e kemi të pamundur të përgjigjem për dorëzat anësore të ulëseve për shkak se ulëset ne i importojmë si tërësi dhe jo me pjesë. Sipas specifikave të tenderit, ne kemi ofertuar për të dy llojet e ulëseve, të dyja i kemi në dispozicion me çmimet e ofertuar dhe të dyja i kemi ofruar sa here janë kërkuar nga autoriteti kontraktues”, thuhej tutje në përgjigje.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka nuk di shumë rreth përmbajtjes apo çmimeve të cilat kanë qenë në kontratë të cilën e ka nënshkruar vetë.

“Nuk e di, si të them, në këtë aspekt se di sa operator ekonomik kanë aplikuar. Edhe në raste të tjera janë parashtruar pyetje se pse ky çmim. OE japin çmimet e tyre. Nuk mundem me paragjyku se çfarë matematike kanë pasur por kam kërkuar që të gjitha të blihen dhe normal me siguri janë marrë të gjitha dhe të gjitha produktet janë dorëzuar komunës edhe ato me çmim të lartë edhe ato më çmim të ulët”, kishte thënë kryetari Haskuka.

Hulumtimi i Drejtësia në Kosovë zbuloi edhe se dallime në çmime dhe blerje të produkteve me çmim të lartë kishte edhe për shtyllat e ndriçimit.

Një shtyllë e ndriçimit me dukje dekorative antike dhe llambë LED komunës i ka kushtuar 900 Euro, dhe për 50 copë Komuna do të shpenzon 54 mijë euro.

Ndërsa i njëjti produkt, pra shtyllë e ndriçimit me dukje dekorative antike, por me ‘solar sistem’ dhe llambë LED, sipas kontratës do të kushtonte vetëm 11 euro, apo për 62 copë do të paguheshin 660 euro.

Te shtyllat pa sistem solar të cilat kushtonin 900 euro, sipas hulumtimit të Drejtësia në Kosovë, Komuna e Prizrenit ka paguar 15 copë më shumë se sa kishte paraparë në kontratë, ndërsa këto të tjerat me sistem solar nuk janë blerë ende asnjë.

Dallim i çmimeve në produkte është te shtyllat e ndriçimit me dukje moderne, përderisa shtyllat me llambë LED do të kushtojnë 900 euro në total 54 mijë euro për 60 copë, të njëjtat shtylla me ‘solar sistem’ dhe llampë LED do të kushtojnë vetëm 11 euro, apo për 60 copë do të paguhen 660 euro.

Kryetari Haskuka kur ishte pyetur nëse i duket e arsyeshme një dallim qindra euro mes dy produkteve të njëjta sërish nuk pati përgjigje të saktë.

“Unë nuk mund të jap përgjigje për ofertën e tregut që bëhet nuk mund të dijë logjikën e operatorëve në Kosovë. Ne kemi probleme të mëdha me Ligjin për Prokurim, proceset e prokurimit zgjasin minimum 4-5 muaj për shkak të mungesës së afateve ligjore për ankesa. Nuk kam asnjë përgjigje në lidhje më këtë sepse nuk është përgjegjësi imja”, kishte thënë Haskuka.

Krejt në fund, sipas llogaritjeve të ekipit të Drejtësia në Kosovë, në një kontratë e cila kishte vlerën e 289 mijë eurove, ishin paraparë të bliheshin 340 ulëse gjithsej.

Nga kjo sasi janë blerë vetëm 183 ulëse, gjë që i ka kushtuar Komunës së Prizrenit 20 mijë euro më shtrenjtë.

Te shtyllat e ndriçimit, kanë qenë të parapara të blihen gjithsej 230 shtylla të katër llojeve të ndryshme por që janë blerë 143, edhe ato janë realizuar blerjet vetëm për produktet e shtrenjta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *